Milani i ofron rinovim të kontratës titullarit, mbrojtësi duhet të “sakrifikojë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2020 | 23:27

Milani i ofron rinovim të kontratës titullarit, mbrojtësi duhet të “sakrifikojë”

Përveç Xhanluixhi Donarumës, drejtuesit e Milanit duhet të përballen edhe me Alesio Romanjolin. Në fokus është kontrata, e cila skadon në verën e 2022-shit. Duke mos dashur të gjenden në një situatë si ajo me portierin, drejtuesit po mundohen që të bindin kapitenin të qëndrojë edhe për katër vite të tjera. 25 vjeç dhe me shumë vlera për repartin e mbrojtjes, Romanjoli është një aset edhe në aspektin e lidershipit.
ROMANJOLI

Vetë mbrojtësi e ka bërë të qartë qëllimin e tij për të qëndruar te “Djalli” edhe pse do t’i duhet të bëjë një lëshim në aspektin e pagës. Aktualisht ai paguhet 2.5 milionë euro në vit dhe për firmën në kontratën e re kërkon të paktën 3.5 milionë euro. Megjithëse ka në plan të mos lejojë rroga mbi 2 milionë euro, klubi planifikon të bëjë lëshime në rastin e tij. Romanjolit do t’i plotësohet dëshira, por ai si bazë do të ketë 2 milionë euro të cilat nëpërmjet bonuseve mund të arrijnë deri në 4 milionë.

Rinovimi i kontratës është edhe një lloj vetëmbrojtjeje nga ana e “Djallit” që duke pasur një akord më të gjatë, mund të jetë në pozita për të vendosur kushtet nëse shitja e Romanjolit shndërrohet në një domosdoshmëri. Kujtojmë se në gjurmët e kapitenit janë Barcelona dhe Juventusi, me spanjollët që janë disi më përpara me bisedimet duke qenë se mund ta shpërblejnë Milanin me para, por edhe me kartonë futbollistësh si Todibo apo Emerson, dy profile që drejtuesit kuqezinj i vlerësojnë si të vlefshëm për planet ekipore.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"