Merkato vazhdon e bllokuar, mbrojtësi largohet nga Flamurtari: Më përfundoi kontrata

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2021 | 14:01

Merkato vazhdon e bllokuar, mbrojtësi largohet nga Flamurtari: Më përfundoi kontrata

Ariel Muçollari largohet nga Flamurtari. Mbrojtësi ka tërhequr letrat nga klubi, duke shpallur zyrtarisht “divorcin”. Ai është produkt i akademisë vlonjate, por duket se largohet për një tjetër aventurë. Për “Panorama Sport”, 19-vjeçari i cili ishte titullar te kuqezinjtë, thotë se dëshiron të luajë jashtë Shqipërisë, por nuk përjashton mundësinë të zgjedhë edhe ndonjë nga ekipet e Superiores sonë.

POGRADECI FLAMURTARI

“Kam marrë një vendim të vështirë. Nuk jam më pjesë e Flamurtarit, ndërsa jam ndarë me mirëkuptim me drejtuesit e klubit. Më përfundoi kontrata dhe më vjen keq që po e lë Flamurtarin. Unë jam produkt i akademisë vlonjate dhe aty ishte familja ime, por e mora këtë vendim për një të ardhme tjetër. Dua që të provoj një aventurë jashtë Shqipërisë. Kjo është edhe dëshira ime, por do të më pëlqente edhe Superiorja shqiptare. Jam në bisedime me disa ekipe si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Ende nuk kam vendosur, por do të bëj zgjedhjen e duhur. Flamurtarit i uroj suksese. Jam i bindur se do të kthehet aty ku e meriton dhe ku e ka vendin”, përfundon Muçollari.

MERKATO – Në Vlorë janë në pritje të zhbllokimit të merkatos. Për shkak të një borxhi të prapambetur, vlonjatët nuk federuan dot asnjë lojtar gjatë verës. Tarik Cmajcani, Burak Menga, Alvi Ahmetaj dhe Stiven Puci u stërvitën me ekipin gjatë gjithë kësaj periudhe, por nuk mundën dot të luanin në ndeshjet zyrtare. FIFA nuk e ka hapur ende sistemin dhe për rrjedhojë ata mbeten pezull. Ka shpresa që merkatoja të zhbllokohet gjatë janarit dhe katër lojtarët që presin prej muajsh të kenë mundësi të regjistrohen. Por, gjithashtu, klubi po punon edhe për të tjera afrime. Pavarësisht se boshti i skuadrës do të jetë me vlonjatë, po mendohet për përforcime. Ndërkohë, drejtuesit e klubit janë në bisedime me disa lojtarë jo vetëm në tregun vendës, por edhe atë të huaj.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"