Mërgjyshi optimist për ndeshjen e sotme: Respekt për Lushnjën, por derbin e fitojmë ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2019 | 11:44

Mërgjyshi optimist për ndeshjen e sotme: Respekt për Lushnjën, por derbin e fitojmë ne

Apolonia pret sot Lushnjën në “Adush Muça” të Ballshit dhe jo në “Loni Papuçiu”, ku po shtrohet tapeti i ri. Ndeshje e vlefshme për javën e dytë të kampionatit, me dy skuadrat që vijnë pas një fitoreje. Çështja e fushës nuk përbën problem për fierakët, të cilët janë parapërgatitur gjatë verës, duke i luajtur gati të gjitha miqësoret jashtë fushe. Është një sfidë rivalësh dhe bardhejeshilët duan maksimumin e pikëve për të vazhduar me ritmin e startit.mergjyshi

Trajneri Artan Mërgjyshi e sheh si ndeshje radhe ballafaqimin e sotëm me Lushnjën, edhe pse është kundërshtari kryesor në synimin sezonal për ngjitjen në Superiore. “Është ndeshje e radhës për ne, pavarësisht specifikës që mbart. Lushnja është një skuadër që meriton respekt maksimal për traditën që ka, për përbërjen me lojtarë cilësorë dhe për eksperiencën që ka në Superligë. Ajo është skuadra e fundit nga gjithë grupi ynë që kanë marrë pjesë në elitë. Apolonia dhe Lushnja janë dy skuadra historikisht rivale. Ne jemi përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje, pavarësisht se nuk luajmë në fushën tonë.

Jemi gati fizikisht, taktikisht dhe psikologjikisht, edhe pse e dimë që do të kemi një ndeshje shumë të vështirë dhe të luftuar. Gjithsesi, do të bëjmë maksimumin për të marrë maksimumin. Le t’ia lëmë fushës së lojës, pasi është një ndeshje e hapur dhe të tria rezultatet janë të mundshme. Respektojmë kundërshtarin, por respektojmë edhe punën e mundin tonë, kështu që besoj se do të jetë një sfidë e bukur dhe shpresoj të fitojmë ne”, thotë trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.mergjyshi

Apolonia vjen në derbi pas fitores me Elbasanin në transfertë javën e parë, ku vendosi goli i mbrojtësit Nako. Qëllimi është të ruajë këtë ritëm dhe të marrë kryesimin e grupit e vetme. Është pak më e freskët se kundërshtari, pasi nuk luajti në mesjavë për Kupën e Shqipërisë, ngaqë Kamza nuk u paraqit. Sidoqoftë, fierakët e kanë të qartë se duhet të kenë përqendrim maksimal në këtë 90- minutësh, ku fitorja do të kishte vlera të dyfishta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"