Mekses braktis stërvitjen e Milanit pas një debati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 13:44

Mekses braktis stërvitjen e Milanit pas një debati

Zërat për largimin e mbrojtësit Filipe Mekses nga Milani sa vijnë dhe shtohen. Ndërkohë dje francezi e ka mbushur kupën pasi, përveçse ka debatuar me njërin prej shokëve të skuadrës, është rikthyer nga pushimet me disa kilogramë më tepër. Ky fakt i ka tërbuar së tepërmi drejtuesit kuqezi, por kryesisht trajnerin Alegri, i cili i kishte dhënë leje francezit të braktiste grumbullimin me ekipin në Amerikë, për të qenë i pranishëm në lindjen e vajzës së tij. Faktikisht Mekses i kishte premtuar tekniku kuqezi se do të stërvitej në “Milanelo”, por duke parë kilogramët e tepër, vërtetohet se ai nuk ka punuar me veten. Dje, mbrojtësi ka marrë pjesë gjatë stërvitjes së paradites së ekipit dhe menjëherë është thërritur veçmas nga trajneri, i cili mësohet ta ketë qortuar për kilogramët e tepërt. I ndjerë keq nga kritikat, francezi ka zbritur në fushë dhe sa hap e mbyll sytë shkaktoi një faull të rëndë ndaj një shoku të skuadrës. Sipas “Gazzetta dello Sport”, futbollisti i dëmtuar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka reaguar ashpër ndaj francezit, veprim që e ka acaruar akoma më tepër këtë të fundit, aq sa po të mos i ndanin shokët e skuadrës situata mund të kishte degjeneruar më tepër. Ky debat nuk i ka shpëtuar trajnerit Alegri, i cili e ka ftuar Meksesin të braktiste stërvitjen dhe të mos paraqitej në seancën e pasdites.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"