Megi Doçi, kapitenia e Kombëtares që ia “shpërbleu” FSHF-së ditën kundër dhunës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 19:50

Megi Doçi, kapitenia e Kombëtares që ia “shpërbleu” FSHF-së ditën kundër dhunës

Vetëm 24 orë pasi FSHF kishte prezantuar strategjinë e zhvillimit të futbollit të femrave “Rising Stars” në Tiranë ndodhte një nga skandalet më të rëndë të futbollit. Ndeshja e vajzave Tirana-Vllaznia u ndërpre për të mos filluar më kurrë për shkak të një sherri të dhunshëm ku përfshinë edhe stafet.

megi doci

Fotografia që qarkulloi në rrjet, ku kapitenia e Kombëtares dhe njëherazi e Vllaznisë, Megi Doçi, godet dikë që është në tokë me shkelm, ishte kulmi. Natyrisht, në botën e sportit ka minuta “çmendurie” edhe për kampionë të nivelit të lartë, por pasi kthjellohen dhe zbuten gjakrat, ata kërkojnë ndjesë publike dhe përpiqem për shumë kohë, ndoshta gjithë karrierën e tyre të shlyejnë gabime të tilla.

Nuk ka ndodhur kështu me Megi Doçin, kapitenen e Kombëtares, që pas përfshirjes në atë sherr masiv, ka konsideruar tifozerinë kundërshtare si “miusha” dhe ka lëshuar mori sharjesh dhe fyerjes në adresë të kujtdo që e ka kritikuar.

Doçi, një vajzë shumë e talentuar për futboll, duhet të kuptojë se kur përfaqëson Shqipërinë dhe kur vesh fanellën kuqezi, duhet të jetë e kujdesshme në mesazhet publike që jep. Dhe nuk është hera e parë që ajo mban qëndrime skandaloze, duke sulmuar publikisht presidentë klubesh dhe futbollistë të kombëtares.

Natyrisht ka gjetur terrenin e duhur për t’ia lejuar vetës këtë arrogancë dhe injorancë në publik. FSHF-ja mbylli sytë në fund të sezonit të shkuar kur drejtuesit e Vllaznisë së femrave nuk pranuan anëtaren e Komitetit Ekzekutiv, Anila Basha, që të çonte trofeun si e deleguara e FSHF-së.

“Jo, është tifozë e Tiranës, nuk e duam”. Ky ishte pretendimi i drejtuesve të Vllaznisë dhe FSHF-ja iu bind duke çuar atje Bardh Jerën.

Mungesë totale respekti për institucionin dhe për anëtaren që është e ngarkuar të udhëheqë pikërisht projektet e futbollit të femrave. Dhe duke toleruar kështu sjelljesh mbërritëm deri në skandalin e së shtunës, kur plasi dhuna sheshit.

Të dyja klubet janë përgjegjëse për dhunën, por kapitenia e kombëtares e ka detyrim karshi flamurit të jetë më e përmbajtur në qëndrimet publike.

Ndërkohë, trajneri i Kombëtares Armir Grima është i pafuqishëm për t’i treguar se ku i ka limitet një kapitene, sepse vendimet i marrin ata të FSHF.

Ata që i dhanë liri të pakufizuar Megi Doçit dhe tani ajo ua “shpërbleu” me shkelma dhe sharje publike pikërisht në ditën kundër dhunës së grave…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"