EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu më i fortë sesa Tirana dhe Dinamo”, Jani Kaçi: Partizanin e dua kampion, të mos rrëzohet asnjë skuadër këtë sezon dhe të… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 23:23

EKSKLUZIVE/ “Skënderbeu më i fortë sesa Tirana dhe Dinamo”, Jani Kaçi: Partizanin e dua kampion, të mos rrëzohet asnjë skuadër këtë sezon dhe të… (E PLOTË)

Skënderbeu ka më shumë “takat” se Dinamo dhe se Tirana për të kapur vendin e katërt në fund të kampionatit dhe për të shkuar në “Final 4”.MixCollage-02-May-2024-08-52-AM-3798

Ky është gjykimi i legjendës së futbollit korçar, Jani Kaçi. Në një prononcim ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, ish-portieri i Kombëtares, Skënderbeut dhe Partizanit analizon ecurinë e korçarëve dhe shanset e tyre për të qenë pjesë e 4-shes më të mirë të sezonit. Kaçi bën edhe një prognozë, kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi i kampionatit, duke hedhur edhe një ide mjaft interesante për formulën e sezonit të ardhshëm.

Kaçi, edhe 3 javë nga fundi i këtij kampionati. Si mendoni, a mund të shkojë Skënderbeu në “Final 4”?

Për mendimin tim, janë tri javë shumë të rëndësishme, ku do të luhet gjithçka sa i takon objektivave të Skënderbeut, nëse do të përfaqësohet në 4 ekipet më të mira të sezonit, apo jo. Duke parë kalendarin, them se do të jenë përcaktuese transfertat në kryeqytet dhe në Shkodër. Por, duke ditur që Skënderbeu këtë sezon ka marrë më shumë pikë në transfertë se në shtëpi, duhet të besojë deri në fund për të qenë pjesë e këtij grupi skuadrash.

Janë tri ekipe në garë për një vend, cili është më pranë “Final 4”?

Po, diferenca mes tri ekipeve është vetëm një pikë. Luajnë Dinamo, Tirana dhe Skënderbeu dhe të tria do të tentojnë deri në fund të jenë pjesë e kësaj katërsheje. Nëse shohim ecurinë dhe gjendjen momentale të këtyre ekipeve, e them me bindje se Skënderbeu ka më shumë “takat” sesa Tirana dhe Dinamo për të shkuar në “Final 4”. Me përqendrim dhe kujdes në ndeshjet e mbetura, korçarët mund t’ia dalin.

Deri në këtë pikë të sezonit, ai i ka përmbushur Skënderbeu pritshmëritë?

Jo vetëm që i ka përmbushur, por mund të them se i ka tejkaluar. Në fillim të sezonit askush nuk e mendonte se ai ekip i ri i krijuar nga Skënderbeu do të ishte në këtë nivel. Por të gjithë shihnin mbijetesën si objektivin kryesor.

Ekipi u rrit shumë dhe po rritet nga dita në ditë. Nëse do të shohim Skënderbeun e fillimit të sezonit me këtë Skënderbe tani, është vite dritë larg për sa i përket cilësisë dhe lojës. Këtu ka një meritë të jashtëzakonshme Ivan Gvozdenoviç, i cili e mori ekipin në vendin e 7-të në Kategorinë e Parë dhe e ktheu në një ekip cilësor këtë sezon. Padyshim që edhe klubi dhe të gjithë që punojnë atje kanë bërë një punë mjaft të mirë.

Ndeshja kundër Partizanit në kampionat, sa përcaktuese do të jetë për këtë rrugëtim?

Të tria ndeshjet e mbetura janë përcaktuese. Partizani vjen me moralin e lartë pas fitores në derbi dhe është një ekip shumë cilësor. Jam i dyzuar për sa i përket zgjedhjes, kur bëhet fjalë për këto dy ekipe, sepse zemra ime është e ndarë mes të dyve. Por do të doja që këtë takim ta fitonte Skënderbeu dhe titullin ta fitonte Partizani, pasi e meriton për atë që ka dhënë këtë sezon.

Luftë bëhet edhe për mbijetesën. Kë shikoni më të rrezikuar nga ekipet që janë ende në garë?

Për fat unë kam parë të gjitha ndeshjet e këtij kampionati. Thuajse të gjitha ekipet që rrezikojnë, apo kanë prerë biletën për të rënë nga kategoria, kanë treguar lojë të mirë në pjesën më të madhe të sezonit. Diferencat kanë qenë shumë të vogla me të tjerët.

Mendoj se do të ishte e udhës që asnjë ekip të mos binte këtë sezon dhe vitin tjetër Superiorja të kishte 12, apo më mirë 14 ekipe. Gara do të ishte më e bukur dhe motivimi më i madh nga të gjitha ekipet. Më besoni, e them nga eksperienca personale, është shumë jo motivuese dhe deri diku bezdisëse që të luash katër herë në një sezon kundër një ekipi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"