Mediat italiane paralajmërojnë Romën: Kujdes nga ylli Kaçe!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2016 | 16:14

Mediat italiane paralajmërojnë Romën: Kujdes nga ylli Kaçe!

Rreziku më i madh në ndeshjen e sotme kundër Viktoria Plzenit, Romës do t’i vijë nga mesfusha e kundërshtarit. Më konkretisht, nga ylli i çekëve, Ergys Kaçe. I këtij mendimi është portali sportiv italian “Tuttomercatoweb.com”, në një shkrim të posaçëm kushtuar përballjes së sotme në Ligën e Europës.

Kace Plzen

“Ylli i vërtetë i Viktoria Plzenit, në fakt është i vetmi që nuk vjen nga Republika Çeke apo Sllovakia. Ka ardhur i huazuar nga PAOK-u i Selanikut dhe premton që shumë shpejt të bëhet komandant i mesfushës së çekëve. Është Ergys Kaçe, gjithçkabërësi i datëlindjes 1993”, thuhet në shkrimin e publikuar sot.

Më tej theksohet ndikimi i menjëhershëm që 23-vjeçari ka pasur në mesfushën e Plzenit, edhe pse luajti vetëm 45 minuta në ndeshjen e fundit të kampionatit kundër Slovan Liberecit. “Mesfushor i kudondodhur, organizator, i pagabueshëm në goditjet e dënimit, Kaçe premton ta marrë për dore Plzenin, edhe pse është e qartë që nuk do të jetë e thjeshtë t’i ndryshojë gjërat si me shkop magjik”, vijon artikulli.

Në pesë ndeshjet e fundit që prej 17 gushtit deri sot, Viktoria ka luajtur me rreshtimet 4-4-2 dhe 4-2-3-1, dhe sido që të jetë, Kaçe me shumë gjasa pritet të jetë titullar në mesin e fushës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare duhet të mposhtë konkurrencën e Jakub Hromadës dhe Tomas Hiravës, dy talentet e tjerë të ekipit çek që kanë tipare të njëjta si ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"