Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që spikatën në javën e 35-të të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2024 | 13:12

Më të mirët dhe zhgënjimet, zbuloni notat dhe emrat që spikatën në javën e 35-të të Superiores

“Panorama Sport” ju paraqet notat e skuadrave për atë që dhanë në javën e 35-të të Superiores, formacionin më të mirë dhe të dobët të kësaj jave.superiore-11NOTAT E SKUADRAVE

EGNATIA 8 – Edhe pse falë një autogoli të kundërshtarit, Egnatia ka marrë një fitore të rëndësishme ndaj Dinamos, që i ka siguruar matematikisht vendin e parë. Rrogozhinasit ditën që të menaxhonin mirë një ndeshje pa qenë e nevojshme të shpenzonin shumë energji dhe kjo është e rëndësishme në këtë pikë të sezonit.

TEUTA 8 – Vazhdon ngjitjen skuadra durrsake, që po shfrytëzon në mënyrën më të mirë kalendarin. Me fitoren 0-3 ndaj Erzenit Teuta ka lënë pas çështjen e qëndrimit në elitë dhe ka hapur një dritare për “Final 4”, edhe pse janë disa kombinime që e plotësojnë këtë objektiv.

PARTIZANI 7.5 – Përfiton nga ndalesa e Vllaznisë dhe kap vendin e dytë një javë para fundit të kampionatit të rregullt. U mjaftua me një gol në Kukës, megjithatë fakti që skuadra ka bërë 4 fitore radhazi e bën atë të shkojë më e motivuar në finalet e titullit.

VLLAZNIA 7 – Merr pikë në Tiranë dhe mban lart moralin në prag të “Final 4”, edhe pse ka zbritur një shkallë në renditje që ia vështirëson punën në gjysmëfinale, sepse i duhet vetëm fitorja. Edhe pse me mungesa me peshë në formacion, Vllaznia merr rezultat pozitiv.

LAÇI 6 – Ishte shumë afër fitores në Korçë, që do të mbante gjithçka të hapur për javën e fundit sa i takon qëndrimit, por goli i pësuar në shtesë me penallti e çon në “play-out”. Mbetet një skuadër me grintë dhe dëshirë gjithmonë.

SKËNDERBEU 6 – Për pak ia komplikoi shumë situatën vetes, por shpëtoi me një penallti në kohën shtesë. Barazimi madje ka pasur vlera të mëdha, sepse e ka ngjitur Skënderbeun në vend të 4-t dhe shanset për të qenë në “Final 4” janë shumë të mëdha.

TIRANA 5.5 – Humb një shans të mirë për të shkuar në finalet e titullit kampion. Dy pikë të lëna që prishin shumë punë për Tiranën, që nuk fiton prej tri ndeshjesh. Në javën e fundit nuk e ka fatin në dorën e saj.

KUKËSI 4 – Nuk ka arsye pse të lodhet në këto ndeshje të fundit të kampionatit, kur ka përpara finalen e Kupës së Shqipërisë. Humbja minimale ndaj një kundërshtari si Partizani është plotësisht e pranueshme dhe e justifikuar.

ERZENI 4 – Për një skuadër të rënë nga kategoria humbjet nuk ndryshojnë asgjë, por kur janë të thella, si kjo 0-3 me Teutën, lënë një shije të keqe.

DINAMO 4 – Një ndeshje kaq e rëndësishme nuk mund të interpretohet aq keq, si teknikisht, ashtu edhe psikologjikisht. Dinamo ka bërë vërtet “vetëvrasje” me golin e shënuar në portën e saj dhe rastet e humbura në zonën kundërshtare. Paraqitje tejet e dobët për një skuadër që pretendon të shkojë në “Final 4”.

ggg

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"