D.Xhafaj, “Topi i Artë” i Kategorisë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2013 | 13:40

D.Xhafaj, “Topi i Artë” i Kategorisë Superiore

Daniel XhafajDaniel Xhafaj shpallet “Lojtari i vitit 2013” në anketën e organizuar nga institucioni i futbollit shqiptar. Sulmuesi vlonjat i Teutës ka marrë më shumë vota se rivalët e tij: Nuredin Orelesi, Bledi Shkëmbi, Gjergji Muzaka dhe Fation Sefa. Trajnerët dhe kapitenët e 12 skuadrave kanë qenë ata që përzgjodhën golashënuesin më të mirë të kampionatit si “Topin e Artë”. Në mbrëmjen gala, të organizuar dje në Tiranë nga FSHF-ja, ku merrnin pjesë të gjithë përfaqësuesit e klubeve të Superiores, Kategorisë së Parë, Kategorisë së Dytë, por edhe shumë të ftuar të tjerë, momenti më kulmor ishte zyrtarizimi i lojtarit të vitit. Në 2012-ën këtë çmim e mori portieri i Skënderbeut, Orges Shehi, ndërsa këtë herë i takoi Daniel Xhafajt. “Falënderoj trajnerët dhe kapitenët e skuadrave. Nuk e prisja këtë çmim, jam shumë i lumtur për këtë vlerësim, i falënderoj të gjithë ata që menduan se unë e meritoj të jem lojtari i vitit. Ia dedikoj skuadrës time, Teutës, trajnerit Magani dhe tifozëve durrsakë”, – u shpreh 36-vjeçari vlonjat, që luan sezonin e dytë radhazi te Teuta. Ky çmim ishte si “qershia mbi tortë” për Xhafajn, i cili tashmë është në fund të karrierës. Sot sulmuesi niset për në Amerikë, ku do të vazhdojë jetesën me familjen. “Nuk e di kur do të kthehem në Shqipëri, por besoj se në muajin shkurt do të jem sërish te Teuta, për të mbyllur edhe këtë sezon. Dua të thyej rekordin e golave, por ëndërroj të shpallem edhe kampion me Teutën”, – ka thënë dje sulmuesi.
Ceremonia – Mbrëmja gala u organizua në një nga restorantet luksoze të kryeqytetit. Mes muzikës, valleve, alkoolit dhe batutave, familja e futbollit festoi për këtë fundvit. I pranishëm ishte edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, por gjithashtu shumë figura të futbollit, mesa tyre edhe ish-kapiteni Altin Lala. Fjalën i pari e mori presidenti i FSHF-së, Armand Duka. “Ishte një 2013 mes suksesesh dhe rezultateve jo të dëshiruara. Dua të evidentoj këtu kënaqësinë që na dha Kombëtarja U-17, por edhe Kombëtarja e madhe në disa ndeshje. Të shpresojmë për një vit më të mirë”, – ka thënë ndër të tjera Duka. FSHF nderoi disa figura të futbollit si Gëzim Kasmi, Muhedin Targaj, Nazmi Maxhuni, Isuf Dollia, Vangjel Capo e Milutin Kërçiç. Ndërsa me titullin “Legjenda e futbollit” pas vdekjes u nderuan Rexhep Spahiu e Mehdin Zhega. Ndërkohë, klubi i Kukësit dhe ai i Skënderbeut, për përfaqësimin dinjitoz në Kupat e Europës, morën çmimin “Mirënjohje” nga institucioni i futbollit.

ÇMIMET
“TOPI I ARTË”
Daniel Xhafaj
“NDERI I FUTBOLLIT”
Gëzim Kasmi
“LEGJENDA E FUTBOLLIT”
Rexhep Spahiu (pas vdekjes)
Mehdin Zhega (pas vdekjes)
Muhedin Targaj
“PLLAKATË”
Nazmi Maxhuni
Isuf Dollia
Vangjel Capo
Milutin Kërçiç
“FAIR PLAY”
Klubi i Teutës
“MIRËNJOHJE”
Klubi i Kukësit
Klubi i Skënderbeut
“Tifozët Kuq e Zi”

1. Mbrëmja gala nisi me rreth një orë vonesë, por edhe vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mbërriti në 18:25, në një kohë që të ftuarit ishin njoftuar se ceremonia niste në 18:00.
2. Donatorët e Tiranës, Refik Halili dhe Lulëzim Morina, mbetën për disa minuta në këmbë, pasi vendet ishin zënë. Përfaqësues i bardhebluve ishte Krenar Alimehmeti, por edhe Nevil Dede.
3. Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka qenë i ulur gjatë mbrëmjes në krah të homologut te Kukësi, Safet Gjici.
4. Kreu i klubit të Partizanit, Gaz Demi, nuk ka duruar deri në fund të festës, teksa është larguar në mes të saj, por mes shumë fotove, veçanërisht me zyrtarin e FSHF-së, Hito Hitaj.
5. “Qershia mbi tortë” ishin përfaqësuesit e klubit të Kategorisë së Dytë, Luzi 2008, të cilët erdhën gati në fund të ceremonisë. Mesa duket kishin ngatërruar orarin ose kanë pasur të tjera arsye.
6. Numri dy i FSHF-së, Lutfi Nuri, ka shkundur sallën, duke u çuar i pari nga tavolina për të kërcyer me valltarët që ishin të ftuar. Nuk munguan as lekët dhe të qerasurat për këngëtarët.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"