“Mbani fjalën”, Hallaçi karikon lojtarët e Kukësit: E meritojmë mbijetesën pa ndeshje shtesë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2023 | 8:42

“Mbani fjalën”, Hallaçi karikon lojtarët e Kukësit: E meritojmë mbijetesën pa ndeshje shtesë

Kukësi do të kërkojë sot të evitojë nde shjen shtesë për të mbijetuar në Superiore, duke marrë një rezultat pozitiv në Rrogozhinë. Verilindorët do të kenë përballë një Egnatia që nuk ka më asnjë objektiv, pasi e ka realizuar atë me sigurimin e vendit të tretë dhe pjesëmarrjes në Europë. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri Rraman Hallaçi bën apelin e fundit për lojtarët, duke iu kujtuar premtimin që i kanë dhënë presidentit dhe tifozëve kuksianë.

hallaci

Sipas tij, fjala e dhënë duhet mbajtur dhe vetë trajneri ka besim se me kontingjentin dhe cilësitë e lojtarëve, Kukësi do ta evitojë ndeshjen shtesë. Hallaçi pret nga të besuarit e tij të tregojnë në fushë gjithë aftësitë e tyre, ndërsa nuk kërkon aventura, por disiplinë taktike për të arritur atë që kërkojnë.

Hallaçi, si e prisni ndeshjen e fundit të kampionatit?
Skuadra është shumë e përqendruar te ndeshja e fundit, pasi kjo është më e rëndësishmja e gjithë sezonit. E kam thënë edhe më herët që më vjen keq që arritëm deri në këtë pikë, pasi kemi pasur një skuadër të mirë dhe me shumë lojtarë cilësorë. Por, në futboll pranohen të gjitha situatat.

Mbijetoni edhe me një barazim, do të luani për të marrë një pikë apo do të tentoni ta fitoni ndeshjen?
Të them të drejtën, me Erzenin donim ta fitonim ndeshjen, por i thashë skuadrës që nuk dua të kalojmë në aventurë. Kërkova disiplinë taktike deri në sekondën e fundit dhe nga kjo anë skuadra m’u përgjigj në mënyrën më të mirë. Të njëjtën gjë do t’u kërkoj edhe në ndeshjen e fundit. Pra, të luajmë me rregulla dhe detyra, që të marrim maksimumin nga kjo ndeshje, që vlen sa gjithë sezoni.

Sa ju lehtëson fakti që Egnatia vjen pa objektiva në këtë ndeshje?
Nuk e shoh në këtë këndvështrim ndeshjen. Ata luajnë lirshëm pa objektiva, ndërsa ne kemi synime maksimale. Ne kemi punën tonë dhe duhet të dalim me objektivin që kemi për këtë ndeshje. Kundërshtari ka punën e vet dhe ata e dinë çfarë bëjnë, por ne jemi të përqendruar të bëjmë maksimumin e mundshëm.

I druheni një ndeshjeje shtesë apo Kukësi do t’ia dalë të mbijetojë?
Kam besim se skuadra do ta tregojë forcën e saj, që ne meritojmë të shpëtojmë direkt pa ndonjë ndeshje shtesë. Këtë do ta tregojmë në fushën e lojës, duke shprehur të gjithë kualitetin që ka skuadra.

Cili është apeli juaj për lojtarët në këtë ndeshje të fundit?
Apeli im për lojtarët është ky: Në ditët më të vështira të një sezoni jashtëzakonisht të vështirë dhe shumë të luftuar nga të gjitha skuadrat, i kemi dhënë fjalën presidentit historik të Kukësit, tifozëve kuksianë, “Armatës së Veriut”, që ne do të japim maksimumin e mundësive tona që ta shpëtojmë skuadrën. Këtë ju kujtoj lojtarëve, që i kemi dhënë fjalën kuksianëve dhe duhet ta mbajmë deri në fund.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"