Maratona e Athinës, Mino fiton bronzin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2014 | 13:45

Maratona e Athinës, Mino fiton bronzin

MinoAtleti i Kombëtares shqiptare, Jorgo Mino, u kurorëzua me fitoren e medaljes së bronztë në garën e 5 km në Maratonën e Athinës të zhvilluar më 9 nëntor për të 32-n herë në histori. Sipas trajnerit të tij, Juxhin Cili, në këtë garë morën pjesë 2994 atletë nga shumë vende të botës, mes tyre Greqia, Polonia, Britania e Madhe, Irlanda, Franca, Qipro, Bullgaria, Italia, Gjermania, Kanadaja, SHBA-ja etj. Në përfundim të garës, atleti ynë, Jorgo Mino, ka humbur me vetëm 1 sekondë medaljen e argjendtë. Medaljen e artë e mori atleti i Kombëtares greke, Konstantinos Nakopoulos, me kohën 15’26”, rekordmeni i Greqisë në garën e 800 metrave. Me vendin e dytë u nderua një tjetër atlet vendës, Andreas Dimitrakis 15’35”, ky kampion i Greqisë në garën e 1500 m dhe pas tij me 1 sekondë diferencë plotësoi podiumin atleti i Kombëtares shqiptare, Jorgo Mino. Sipas trajnerit të Kombëtares, Mino ka regjistruar rezultatet më të mira të vitit në garat e 3000 m/p dhe 5000 m, njëherësh anëtar i Kombëtares kuqezi në kompeticionet më të rëndësishme ndërkombëtare. Trajneri Çili tha për “Panorama Sport” se gara ka pasur ulje-ngritjet e saj, por finalizimi ishte mbresëlënës. “Në një kompeticion të tillë, nga më prestigjiozet në maratonat ndërkombëtare, arritje të tilla janë historike për atletikën shqiptare. Jam shumë i lumtur me rezultatin e arritur nga atleti”. Shumë i emocionuar ishte edhe vetë medalisti. “Kjo është historike për atletikën shqiptare dhe këtu gjej rastin të falënderoj familjen time për mbështetjen e madhe që më ka dhënë gjatë gjithë kohës, trajnerin tim Juxhin Çili, por edhe Federatën Shqiptare të Atletikës, veçanërisht presidentin, Gjergj Ruli, dhe sekretarin e përgjithshëm, Nikolin Dionisi, për mundësinë që më dhanë për të përfaqësuar atdheun tim në kompeticione ndërkombëtare. Shpresoj që në të ardhmen t’i dhuroj Shqipërisë medalje edhe më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"