Mancaku: Titull, me Sakajn e Xhafajn

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:53

Mancaku: Titull, me Sakajn e Xhafajn

Pas kthimit nga Bullgaria, ku qëndruan më shumë se dy javë, lojtarët e Teutës u lanë të lirë nga trajneri Hasan Lika për dy ditë. Ndërsa sot do t’u rikthehen ambienteve sportive të stadiumit “Niko Dovana”, për të vijuar me përgatitjet, në kuadër të sezonit të ri. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi durrsak, Bledar Mancaku, deklaroi se Teuta ka zhvilluar një fazë përgatitore të shkëlqyer dhe se tashmë është gati për të nisur “luftën”, në mënyrë që të arrijë objektivat e veta në këtë sezon futbollistik. Sulmuesi theksoi se kjo Teutë do të jetë një nga skuadrat pretendente për titullin kampion dhe se kundërshtarët duhet ta mendojë mirë përballjen me ta. “Kemi zhvilluar një fazë përgatitore të shkëlqyer, nga e cila kemi përfituar shumë, si në aspektin teknik, ashtu dhe atë fizik. Mendoj se ditët e mbetura do të na shërbejnë për t’u konsoliduar më tepër. Këtë sezon futbollistik, skuadrat që do të jenë pretendente për të fituar titullin kampion duhet të kenë shumë kujdes nga Teuta, pasi jemi kthyer më të fortë se një vit më parë, madje dhe me më shumë eksperiencë”, ka thënë fillimisht bomberi durrsak.
Grupi – Më tej, sulmuesi Mancaku u ndal tek organika e skuadrës, e cila gjatë merkatos verore ka ofruar disa futbollistë. “Në skuadër kemi elementë që premtojnë dhe japin siguri në lojë. Baza e skuadrës përbëhet nga futbollistë të rinj, të cilët sezonin e shkuar zhvilluan një kampionat të mrekullueshëm. Tashmë ata kthehen më të fortë dhe me më shumë eksperiencë. Ndërkohë, edhe afrimet e fundit në skuadër kanë qenë të goditura. Sakaj dhe Xhafaj do të na ndihmojnë shumë në përpjekjen tonë për arritjen e objektivit, që është fitimi i titullit kampion. Me ta skuadra luan më lirshëm dhe me më shumë besim në vetvete. Lojtarët merren vesh mirë me njëritjetrin në fushën e lojës dhe kjo është shumë e rëndësishme për ecurinë e skuadrës”, përfundoi beniamini i tifozërisë durrsake, Bledar Mancaku.
Leonidha Musaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"