Trajneri Hima: Ndaj Lushnjës është ndeshja e sezonit për Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2024 | 12:20

Trajneri Hima: Ndaj Lushnjës është ndeshja e sezonit për Burrelin

Të dielën në orën 15:00, në stadiumin “Liri Ballabani”, skuadra e Burrelit do të presë Lushnjën, një rival për mbijetesë. Për vetë pozitat që ka Burreli në renditje, ndeshja ndaj Lushnjës konsiderohet finale. Në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, trajneri Klevis Hima, mes të tjerash pohon:

HIMA BURRELI

“Për vetë pozitat që kemi në renditje, ndeshjen me Lushnjën e konsideroj si më të rëndësishme të sezonit. Gjatë javës jemi stërvitur me ritëm të lartë. Është momenti më i mirë që skuadra të rikthehet te fitoret, jo vetëm për të konsoliduar pozitat në renditje, por dhe për të harruar ato rezultate negative të arritura në ndeshjet e fundit”.

Ndryshe nga ndeshja e një javë më parë e zhvilluar në Fushë-Krujë ndaj Kastriotit, ndaj lushnjarëve skuadra do të jetë e plotë. Për vetë rëndësinë që ka ndeshja e nesërme në shkallët e “Liri Ballabani”, parashikohet një numër i lartë sportdashës. “Me ndihmën e sportdashësve, kam besim që skuadra do të rikthehet te fitorja. Grupi i lojtarëve do të jetë i plotë dhe kjo më bën optimist se skuadra do të rikthehet te suksesi”, mbyll prononcimin e tij trajneri Hima. Në dy ndeshjet e zhvilluar në këtë kampionat ndaj matjanëve, skuadra lushnjare i ka fituar të dyja ndeshjet.

bu

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"