Mbrojtësi Ndubuisi: Apolonia e synon elitën deri në frymën e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2024 | 13:05

Mbrojtësi Ndubuisi: Apolonia e synon elitën deri në frymën e fundit

Apolonia mbyll përgatitjet për ndeshjen e së dielës në orën 15:00 në transfertë kundër Luzit. Fierakët do të kërkojnë fitoren në këtë ndeshje të vështirë radhe për të vijuar me ecurinë pozitive dhe mbi të gjitha për të mbajtur të hapur llogaritë për vendin e katërt në renditje. Mbrojtësi Ndubuisi Francis Eneh për “Panorama Sport” u shpreh i bindur për marrjen e trepikëshit nga Apolonia në Luz, por kërkon edhe përqendrim e vlerësim të madh deri në fund.

apolonia duke festuar golin e Umejeigos

 

Si kanë shkuar përgatitjet për transfertën e Luzit?

Kemi punuar me ritëm dhe me shumë besim në vete. Kjo vjen si rrjedhojë e rezultateve të marra dhe lojës së mirë, sidomos në fazën e tretë. Vijmë edhe nga një fitore e thellë në derbi dhe do të mundohemi të mbajmë të njëjtin ritëm. E dimë që na pret një ndeshje e vështirë të dielën, të cilën nuk duhet kurrsesi ta neglizhojmë.

Të dielën udhëtoni drejt Luzit. Çfarë synoni nga ky takim?

Ndeshje delikate, pasi luajmë me një skuadër që synon mbijetesën. Luzi ka në përbërje futbollistë të rinj, që kanë bërë mirë dhe kanë dëshirë të lënë gjurmë. Përtej vështirësive që po kalon Luzi, ka një ekip që jep gjithçka në fushën e vet. Ne e kemi përgatitur këtë sfidë për ta fituar dhe do të futemi në fushë vetëm për tri pikët.

E bën edhe më të vështirë këtë takim fakti që Luzi e ka si jetë a vdekje, ose si mundësia e fundit për të mbajtur gjallë shpresat?

Jo vetëm për Luzin, por edhe për ne kjo ndeshje vlen shumë, ndoshta më shumë sesa tri pikët. Nuk duam të komplikojmë rrugëtimin tonë dhe të hasim vështirësi që duhet t’i shmangim tani. Në të tilla kushte, kërkohet vijimi i rezultateve pozitive dhe mbi të gjitha për të mbajtur hapur llogaritë për vendin e katërt. Vetëm kështu mund të jemi më afër me objektivin tonë madhor, ngjitjen në Superiore.

A do ta arrijë Apolonia vendin e katërt në renditje?

Është momenti të tregojmë vazhdimësi, si edhe për të treguar që e meritojmë ta mbyllim të katërtit. Janë të gjitha mundësitë për vendin e katërt. Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më fort për të tentuar deri në frymën e fundit ngjitjen në Kategorinë Superiore.

form

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"