“Lushnja, rivalja jonë më e fortë”, kapiteni Sota: Do të futemi në fushë si të barabartë me ta!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2020 | 14:42

“Lushnja, rivalja jonë më e fortë”, kapiteni Sota: Do të futemi në fushë si të barabartë me ta!

Po “troket” derbi i radhës LushnjaApolonia, i katërti dhe i fundit për këtë sezon. E veçanta e kësaj përballjeje është se debatet mediatike mes palëve nuk kanë sosur që pas fitores 3-1 të Apolonisë më 15 qershor. Është vërtet një derbi interesant, që për nga buja dhe karikimi mediatik, vetëm Tirana-Partizani e sfidon momentalisht. Luftë nervash, betejë psikologjike për ta mposhtur kundërshtarin përpara ndeshjes e pastaj në fushë dhe rrallë pala humbëse e pranon rezultatin. Gjithsesi, këto skuadra gjithmonë e kanë respektuar njëra-tjetrën, sepse tradicionalisht kanë qenë “fair”.
apolonia-lushnja

SOTA – Ka marrë “bekimin” nga ish-kapiteni Hysenshahaj përpara se ky i fundit të largohej në Amerikë. Sota e ka kaluar “stazhin” gjatë dëmtimit të Hysenshahajt. Elion Sota, 22 vjeç dhe një nga mbrojtësit më të mirë të së Parës, për derbin ndaj Lushnjës flet me pjekurinë e një lideri: “Dua të shpreh së pari emocionet e mia për Hysenshahajn, kapitenin tonë që u largua nga Shqipëria. E ritheksoj që ai ka qenë një model pozitiv për ne dhe emocionet e mia lidhen më shumë me keqardhjen për largimin e tij se për marrjen e shiritit të kapitenit. Mbarësi të urojmë, kapiteni Tao!
sota-750x430

Ndeshja me Lushnjën është derbi dhe është logjike të jetë e ndezur dhe e fortë. Mes Apolonisë dhe Lushnjës asnjëherë nuk kanë ndikuar pikët apo renditja, por kanë qenë lojëra të forta, të luftuara, me emocione dhe rezultat të paparashikuar. Edhe këtë herë asgjë nuk ndryshon, është një derbi tradicional dhe të dyja skuadrat përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre dhe të marrin maksimumin. Jemi në pozita kryesuese dhe asgjë nuk ka përfunduar për çështjen e Superiores. Nuk e llogarisim diferencën e pikëve me Lushnjën, por do futemi në fushë si të ishim në pozita të barabarta. E them me sinqeritet se Lushnja është rivalja më e fortë, por shkojmë me synime të qarta për rezultat pozitiv”, shprehet për “Panorama Sport” kapiteni 22-vjeçar i Apolonisë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"