Lushnja ngec në miqësore, Gjyla: Sulmuesit që kemi lënë për të dëshiruar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2020 | 12:41

Lushnja ngec në miqësore, Gjyla: Sulmuesit që kemi lënë për të dëshiruar

Starti i kampionatit mbetet enigmë, ndaj dhe Lushnja dhe Oriku menduan të zhvillonin miqësoren e tretë mes tyre në këto përgatitje të stërzgjatura. Këtë herë tribuna qendrore e “Roza Haxhiu”-t ka qenë e boshatisur, larg entuziazmit të miqësoreve me Partizanin dhe Besën. Ndeshja ka nisur në ritme të qeta dhe kështu ka vazhduar e gjithë pjesa e parë. Oriku ka qarkulluar më shumë topin, por pa rrezikshmëri dhe duhet theksuar se kjo pjesë është mbyllur pa asnjë gjuajtje në portë. Pas pushimit Lushnja ka zbritur më e gjallë në fushë, ku skuadra e trajnerit Ilir Gjyla ka rrezikuar dy herë, por ndërhyrjet e sakta të portierit Muho në goditjen e Blakçorrit dhe më pas të Zhugës shmangën golin. Në minutën e 57-të, Haxhiu ekzekutoi bukur një goditje dënimi nga rreth 20 metra, por portieri Muho devijoi në korne.

Lushnja

Në minutën e 70-të ishte Dedej që i kishte të gjitha mundësitë të shënonte pas pasimit të Qoshkut, por goditja e sulmuesit të Lushnjës përfundoi jashtë. Oriku do të shfaqej në minutat 72 dhe 75, me dy goditje të rrezikshme me kokë, fillimisht nga Tushi dhe më pas nga Hyska. Topi përfundoi jashtë për punë centimetrash, ndërsa në minutën e 86-të mbrojtësi Nurçe nuk shënoi nga fare afër portës së boshatisur. Miqësorja është mbyllur pa gola, në një atmosferë të ftohtë ku të gjithë po e ndiejnë mungesën e kampionatit.

GJYLA – Trajneri Gjyla tha pas ndeshjes se, nëse kampionati fillon shpejt, Lushnja do të ketë probleme në sulm, ku për momentin mungojnë Xeka dhe Hysa. “Për të qenë të sinqertë, kemi filluar të luajmë taktikisht dhe ndërtuam diçka në pjesën e parë, u munduam. Kam thënë më parë se kemi luajtur edhe për qejf, kemi luajtur për të bërë stërvitje, duke mos ditur asnjëherë kur fillon kampionati, por tani më duket se është ngushtuar hapësira. Pjesën e parë luajtëm taktikisht dhe nuk u rrezikuam asnjëherë, por dua të ndalem te sulmi. Mungesat e Xekës së dëmtuar dhe Hysës së sëmurë nuk janë pak. Në pjesën e dytë luajtëm futboll për t’u stërvitur, prandaj loja ishte e hapur, më e zhdërvjelltë. Kishim mangësi në sulm dhe mendoj se po filloi kampionati shpejt, do të kemi probleme.

gjyla

Sulmuesit që kemi në stol lënë për të dëshiruar, nuk mund ta përballojnë kampionatin, ritmin e Lushnjës dhe atë që dëshirojmë ne. Ta them shqip, nuk kemi sulmues të tjerë veç dy titullarëve. Provuam dy futbollistë, por nuk u përshtatën asnjëherë. Jo se në mesfushë dhe në mbrojtje shkojmë 100% vaj, por diçka kemi rregulluar. Ka ca probleme që lidhen me të qenit profesionistë. Kemi edhe futbollistë të vegjël. U themi mbrojtësve “dalim”, ai thotë “nuk dola unë se ka kundërshtar prapa”. Është mungesë profesionalizmi dhe na del për detyrë t’i mësojmë. Megjithatë, për 30 minutat e para ajo që nxorëm ne në pah ishte mangësia në pasime. Na krijohet një hendek në mesfushë, por mendoj se do ta riparojmë”, theksoi pas miqësores së djeshme trajneri Gjyla.

;kl

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"