Lushnja/ “Na duhet një fitore në Luz”, mesfushori Andoni ka nisur të bëjë llogari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2024 | 21:43

Lushnja/ “Na duhet një fitore në Luz”, mesfushori Andoni ka nisur të bëjë llogari

Lushnja ka arkivuar shpejt eliminimin nga Kupa e Shqipërisë dhe është përqendruar te java e 18-të e Kategorisë së Parë. Të dielën shkojnë në Luz dhe llogaritë janë të qarta: të fitojnë. Pas barazimit me Tomorin, tashmë pritet një reagim i menjëhershëm nga skuadra. Pozitat që kanë në renditje, nuk i ofrojnë komoditet.

lushnjaaa

Këtë e thotë edhe Dejan Andoni, në një prononcim për “Panorama Sport”. Mesfushori e quan delikate këtë transfertë, por jo të pakalueshme. “Jemi shumë të përqendruar te kampionati. Luajmë me Luzin dhe është një ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin, do të thoja vendimtare. Duhet të bëjmë më të mirën në stërvitje dhe të shprehim të gjitha mundësitë tona.

Kemi punuar që të eliminojmë gabimet. Lushnja ka eksperiencën, ndaj besojmë se do ta kalojmë me sukses këtë takim delikat. Ekipi do të luajë për fitore dhe këtë duhet ta realizojmë në fushën e lojës”, deklaroi mesfushori, i cili luan sezonin e dytë radhazi te Lushnja. Lushnjarët kërkojnë rezultatin pozitiv në transfertë, që u mungon nga 6 nëntori i vitit të kaluar (kur barazonin 2-2 me Vorën).

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"