Lushnja kërkon të largojë rrezikun, kapiteni Canka thirrje shokëve të ekipit për 5 “finalet”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 15:30

Lushnja kërkon të largojë rrezikun, kapiteni Canka thirrje shokëve të ekipit për 5 “finalet”

Lushnjarët kanë edhe pesë takime për të luajtur deri në fund të kampionatit, sfida të cilat marrin një rëndësi të veçantë në këtë pikë të sezonit. Të gjitha ndeshjet i kanë me grupin e skuadrave, që luajnë për mbijetesë. Pas dy humbjeve radhazi me Elbasanin dhe Bylisin, skuadra e drejtuar nga trajneri Gugash Maganit ndodhet vetëm një pikë larg zonës “play-out”.

Canka

Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni dhe shënuesi më i mirë i Lushnjës me 9 gola, Mikel Canka pohoi se ekipi duhet të japë  më të mirën në vazhdim, që të mos e diskutojë mbijetesën. “Tani kemi hyrë në një fazë të kampionatit ku të gjitha ndeshjet e mbetura të Lushnjës janë si finale. Duhet të rikuperojmë sa më shumë nga pikët që na mungojnë. Me Luzin është finalja e parë, që e nisim këtë javë. Duhet të japim më të mirën e mundshme, sidomos në këto javë të mbetura.

Nuk duhet ta diskutojmë përfshirjen në raundin ‘play out’. Nuk kemi pse të dorëzohemi. Kemi një ekip të mirë, me djem që vrapojnë dhe lojtarë me eksperiencë. Kundërshtari duhet respektuar, edhe për faktin se është si finale. I bëj thirrje shokëve të ekipit, që të japim maksimumin në ndeshjet e mbetura”, deklaroi kapiteni 37-vjeçar Canka. Sa i përket Luzit, goleadori i lushnjarëve tha se u takon të ringrihen duke e vlerësuar më shumë kundërshtarin, që e kanë mundur dy herë këtë sezon. “Jemi duke u përgatitur për sfidën me Luzin. Nuk duhet humbur besimi në skuadër. Jemi ne ata që kemi gabuar dhe jemi po ne ata që duhet të rigrihemi. Patjetër që ekipi do të gjejë forca për të reaguar.

Janë shumë për ne si skuadër, që të pranojmë dy humbje radhazi. E kemi mundur Luzin dy herë këtë sezon. I kemi vlerësuar të dy takimet me ta, ndaj dhe kemi arritur te fitorja. Kjo ndeshje e fundjavës kërkon një vlerësim maksimal për kundërshtarin sepse ata kanë treguar forcë në këtë kampionat”, deklaroi kapiteni i Lushnjës, Mikel Canka. Te lushnjarët do të mungojë Endrien Magani, që është i skualifikuar, si dhe Ylber Muça për shkak dëmtimi.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"