“Luis Suarez ka qenë gjithmonë frymëzim për mua, e shpëtojmë sezonin”. Kukësi, Rashiti: Tani s’ndalemi më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2024 | 18:57

“Luis Suarez ka qenë gjithmonë frymëzim për mua, e shpëtojmë sezonin”. Kukësi, Rashiti: Tani s’ndalemi më

Hyri si zëvendësues, i mjaftuan pak minu ta dhe tregoi veten e tij në fushë. I dha kualifikimin Kukësit në minutën e fundit në Kupë, duke u zhbllokuar vetë dhe ngritur moralisht skuadrën pas një periudhe të vështirë. Bëhet fjalë për Atdhe Rashitin, sulmuesin kryesor të Kukësit, që këtë sezon i ka provuar të gjitha, por duket se tani po pret shpërthimin e tij.

atdhe rashiti

Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, 24- vjeçari që frymëzohet nga Luiz Suarez, pohon se këtej e tutje do të dalë në pah Rashiti i vërtetë dhe skuadra do të nisë ngjitjen në kampionat. Sa i përket ndeshjes me Dinamon, sulmuesi thekson se skuadra do të hyjë në fushë vetëm për të siguruar fitoren.

Atdhe, si ndiheni pasi i dhatë kualifikimit Kukësit në Kupë?

E kemi ditur që do ishte një ndeshje e vështirë me një kundërshtar me shumë kualitet. Një skuadër si Elbasani çdo ekip e vë në vështirësi. Për ne ishte një detyrë e realizuar, pasi donim të vazhdonim rrugëtimin tonë në Kupë dhe normalisht është ndjenjë pozitive kur arrin objektivin që ke.

Sa ju shërben kjo fitore edhe për në kampionat?

Na shërben vërtet shumë. Bëhet fjalë për një fitore që do ta ndihmojë si ekipin, ashtu edhe mua, nga ana morale për të bërë sa më mirë tani edhe në kampionat.

A do të shohim tani e tutje Rashitin e vërtetë?

Nisja e vështirë e kampionatit pas lëndimit dhe rikuperimi i gjatë pa fazë përgatitore, lanë gjurmë në fazën e parë. Çdo sulmues kur nuk ka formën e vet ngarkohet psikologjikisht. Unë do të mundohem të bëj më të mirën dhe shpresoj se edhe me mbështetjen e ekipit të tregoj kualitetet e mia.

Jeni sulmuesi kryesor, e ndieni pak peshën e përgjegjësisë në këtë skuadër?

Fanella e Kukësit është shumë e rëndë dhe presioni është shumë i lartë. Kukësi i ka dhënë tonin futbollit shqiptar në vitet e fundit dhe ka pritshmëri të larta. Secili nga ne duhet ta ndjejë dhe të luftojë për ekipin. Peshën e fanellës do e kthejmë në forcë e motivim.

Këtë javë keni ndeshjen me Dinamon, çfarë prisni?

Ne nuk do presim, nuk kemi objektiv tjetër, shkojmë për fitore dhe jam i bindur që do fitojmë. Pavarësisht renditjes, ne kemi bërë ndeshje dinjitoze dhe nuk i frikësohemi asnjë skuadre. Disa herë fati nuk ka qenë në krahun tonë, por do ta kthejmë atë.

Sa e vështirë do të jetë gara për qëndrimin në Superiore?

Gara për qëndrimin në Superiore, duke parë edhe tabelën, është e hapur për të gjithë. Me pak fat do t’ia dalim dhe do të stabilizojmë pozicionin tonë në tabelë. Mendoj që meritonim disa pikë më shumë në tabelë dhe ato do t’i fitojmë.

Nga cili lojtar frymëzoheni?

Suarez. Ka qenë gjithmonë frymëzim për mua, me grintën dhe luftën sportive të tij.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"