“Luhatjet në lojë, të papranueshme”, ish-trajneri sheh probleme gjithandej: Gabuan në merkato, koha të korrigjojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2023 | 23:06

“Luhatjet në lojë, të papranueshme”, ish-trajneri sheh probleme gjithandej: Gabuan në merkato, koha të korrigjojmë

Lushnja mbylli një gjysmësezon me luhatje të mëdha, ndonëse në fillim pretenduan edhe ngjitjen. Verdhejeshilët kanë aktualisht dy herë më pak pikë se Elbasani i vendit të dytë dhe -5 nga zona “play off”. Në 16 ndeshje të zhvilluara, kanë grumbulluar vetëm 18 pikë.

lushnja

Po ajo që bie më shumë në sy, numri i madh i golave të pësuar (plot 28). Vetëm Tomori që mbyll tabelën, ka marrë më shumë se ata (30). E thënë ndryshe, shifrat nuk premtojnë fort. Dhe këtë opinion e ka Ramadan Baballëku, ish-trajner i lushnjarëve.

Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton problemet e shumta që skuadra ka shfaqur. Zgjidhjen e sheh te merkatoja, nga e cila pret ndërhyrje më efikase se ato të verës.

“Lushnja është e rrethuar nga komoditeti. Nuk ka ekip në Kategorinë e Parë, që ka infrastrukturë si ta dhe financa të sigurta po ashtu. Tapeti i stadiumit është nga më të mirat në vend, ndërkohë që ka edhe një fushë stërvitore të vetën. Por të mos harrojmë që nisja e sezonit jashtë fushe e dëmtoi vërtetë shumë. Nëse do ta niste kampionatit në ‘Roza Haxhiu’, sot do të kishte më shumë pikë. Nëse kalojmë te paratë pastaj, nuk i mungon asgjë.

Unë vlerësoj prezencën në stadium të presidencës, iniciativën dhe inkurajimin që ajo jep. Por, skuadra nuk i është përgjigjur me rezultate. Merkatoja e verës nuk dha efikasitetin dhe rezultatin e duhur. Skuadra ka luhatje. Nga një ndeshje shumë e mirë në shtëpi, ndryshon komplet në transferta. Fiton 2-0 me Burrelin dhe shkon humbjet 0-3 në Vlorë. Jashtë fushe e nis lojën e mirë dhe lëshon në fund. Në minutën e 100-të e pësoi në Elbasan.

Kalon në avantazh në Fier në fillim të pjesës së dytë dhe në fund humbet 1-4. E thënë troç, ka probleme. Dhe për mua shkaqet janë disa. Fillimi i sezonit në fushë asnjanëse, pësimi i madh i golave, mosruajtja e rezultatit në avantazh.

Më pëlqeu që nisën direkt merkaton, por nuk duhet të ndalen. Vetëm se duhet cilësi këtë herë. Diçka duhet korrigjuar. Nëse objektivi është nga vendi i parë deri tek i gjashti, atëherë të mbledhin forcat dhe nisin 2024-ën ndryshe”, deklaroi ish-trajneri.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"