Luftëtari, kapiteni Rrapo sfidon Ahmatajn dhe kërkon sërish gol ndaj Tiranës: Fitojmë ne!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2019 | 19:41

Luftëtari, kapiteni Rrapo sfidon Ahmatajn dhe kërkon sërish gol ndaj Tiranës: Fitojmë ne!

Luftëtari do të përballet nesër me Tiranën në kuadër të javës së dhjetë, ndeshje kjo e vlefshme për fazën e dytë të edicionit të 81-të të Kategorisë Superiore.

Rapo

E si për ironi të fatit, Marantasin e sfidon një ish si Julian Ahmataj, i cili nga dje mori drejtimin e bardhebluve, 24 herë kampionët e vendit. Paraditen e djeshme, pas analizës së zakonshme dhe studimit në detaje të kundërshtarit, bluzinjtë të ndarë në grupe praktikuan ushtrime atletike, vrapime të shkurtra e të gërshetuara me vrapime të gjata.

Ndërkohë, pasditen e djeshme në orën 15:30, nën urdhrat e stafit teknik, kanë qenë në dispozicion të gjithë lojtarët me përjashtim të diferencuarin, Andi Renja. Loja me top e ndarë mes dy 11-sheve nisi pas 20-25 minutave streçing, vrapime dhe ushtrime të lehta në këndin e poshtëm të fushës së stadiumit “Gjirokastra”. Në lojën e zhvilluar mes familjes, me qëllim projektimin e formacionit anti-Tiranë, disa herë trajneri Marantas u kërkonte të tijve vëmendje si në situata mbrojtëse dhe ato sulmuese. E vështirë të konfiguroje formacionin e mundshëm, pasi Marantas kërkon dhe beson tek ata lojtarë që punojnë dhe stërviten fort në ditët e përgatitjeve. Seancën e pasdites së djeshme e ndoqi nga afër drejtori sportiv Artur Dadaj, i cili vuante penalizimin e skuadrës nga “xhaketat e zeza” në këtë fund të fazës së parë.

Kapiteni

“Veterani” i Luftëtarit, Donald Rrapo, pika referuese e mesfushës bluzi dhe njëherazi kapiteni i bluzinjve, një ditë para sfidës me Tiranën për “Panorama sport” deklaroi: “Po përgatitemi seriozisht sepse na pret një ndeshje shumë e vështirë. Tirana, pavarësisht ngjarjeve të fundit, është skuadra që i ka dhënë tonus futbollit shqiptar. Në radhët e tyre ka lojtarë cilësorë, të cilët janë të paparashikueshëm. Gjithsesi, ne kemi bërë dhe do bëjmë punën tonë për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen. Për ne si lojtarë, përveç fitores s’ka rrugë tjetër”, u shpreh fillimisht kapiteni Donald Rrapo.

Në kontingjentin bluzi, “brezat” e vjetër duket se janë kthyer në burim besimi dhe optimizmi për më të rinjtë. “Fakti që në përbërje të Luftëtarit të vjetrit numërohen me gishtat e dorës dhe të rinjtë janë më të shumtë, s’do të thotë të nëpërkëmbësh një “ansambël” të tërë. Ne vërtet kemi humbur pikë të rëndësishme, por jo gjithçka është për fajin tonë. Kemi luajtur mirë, kemi bërë ndeshje të mira dhe në fund jemi ndëshkuar. Besoj se këtë javë penalltitë s’do të jenë më aq naive dhe arbitrat do të jenë më korrekt me ne. Do të desha t’i shënoja gol Tiranës si dhe vjet. Pse jo dhe ekipi të merrte 3 pikët”, përfundoi Rrapo.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"