Liverpuli zyrtarizon Tiagon, flet Klop: Ja çfarë duhet të bëjmë tani si skuadër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2020 | 12:54

Liverpuli zyrtarizon Tiagon, flet Klop: Ja çfarë duhet të bëjmë tani si skuadër

Mungojnë vetëm firmat, por zyrta rizimi tashmë është vetëm çështje orësh, duke marrë shkas edhe nga përshëndetjet që ish-trajneri i tij, Hansi Flik, dhe ish-shefi i klubit te Bajerni, Karl-Hainc Rumenige, konfirmuan kalimin e tij te Liverpuli. Tiago Alkantara, fantazisti dhe lojtari më i mirë i finales së Ligës së Kampioneve ndaj PSG-së, nga dita e sotme pritet që të mbyllë detajet e fundit me kampionët e Anglisë, të cilët kanë bërë gati edhe fanellën me numër 6, që spanjollo-braziliani vishte edhe te Bajerni i Mynihut.

ALCANTARA

Pas shumë bisedimesh të zgjatura, më në fund pritja ka marrë fund, teksa bavarezët kanë pranuar ofertën prej 25 milionë eurosh, plus 5 milionësh të tjera bonuse, lehtësisht të arritshme, me Liverpulin që është gati të shtojë një tjetër yll në mesfushën dhe skuadrën e tyre. Për 29- vjeçarin kontrata me të kuqtë do të jetë 4-vjeçare, me një pagë (pret ende konfirmime) prej 8 milionë eurosh neto në sezon. Sigurisht që për Liverpulin bëhet fjalë për një blerje të madhe, e cila u kundërpërgjigjet pa dyshim rivalëve kryesor për titull, Mançester Sitit, por edhe Çelsit që sivjet ka shpenzuar 250 milionë euro për të rivalizuar për titullin kampion. Për më shumë, blutë e Londrës janë rivali i ardhshëm i Liverpulit, në një supersfidë që do të vihet në skenë të dielën, në orën 17:30.

FLET KLOP – Në konferencën e djeshme për shtyp, Jyrgen Klop nuk ka dashur që të flasë për Tiagon gjatë, në pritje të zyrtarizimit të ditës së sotme, por ndërkohë ka dashur që të shuajë disi tensionin e ngritur mes tij dhe Frenk Lampardit, përpara transfertës në Londër, me blutë: “Tiago? Është një lojtar fantastik, të cilin nuk e zbulojmë sot. Por, ndërkohë, ideja ime sivjet është që të bëjmë një tjetër lloj futbolli, një tjetër stil loje, duke parë se sa shumë kanë ndryshuar skuadra të ndryshme sivjet, si Çelsi për shembull, që do të kërkojnë të rivalizojnë për titullin.

kLOP

Për më tepër, ky sezon pritet të jetë edhe më tepër i ngjeshur, por ne, kundrejt gjërave pozitive që kemi bërë në të kaluarën, duhet të mësojmë që të menaxhojmë më mirë forcat dhe të ndryshojmë stil loje, në varësi të kundërshtarëve që do të kemi përballë, – shpjegon Klop, ndërsa për polemikat e fundit me Çelsin, lidhur me shpenzimet në merkato saktëson. – Ne dhe Çelsi jemi dy klube të ndryshme, por nuk ka asnjë rivalitet të lig. Të dielën do të jemi kundërshtarë, por përveç kësaj nuk ka asgjë tjetër. Edhe strategjitë tona të merkatos janë të ndryshme: Liverpuli investon atë që fiton, ndërsa nëse Çelsi bën të kundërtën tonë, mund të bëjë ç’të dojë. Jetojmë në një botë të lirë”, përfundoi deklaratën e tij Jyrgen Klop.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"