Lëv për Argjentinën: Ja plani im anti-Mesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2012 | 13:45

Lëv për Argjentinën: Ja plani im anti-Mesi

Teksa u nda kokulur nga Evropiani 2012, trajneri i Kombëtares gjermane, Joakim Lëv, ka marrë flakë para duelit miqësor kundër Argjentinës, që do të zhvillohet ditën e mërkurë, në orën 20:45 në Frankfurt. Duke qenë se “Pancerat” dhe kreu i pankinës u kritikuan ashpër pas eliminimit në gjysmëfinale ndaj Italisë, Joakim Lëv u është kundërpërgjigjur kritikëve “me dorë të hekurt”. Gjithashtu, gjatë konferencës për shtyp ai ka folur edhe për miqësoren ndaj Argjentinës, kalibër krejt ndryshe nga stili evropian.
Konceptet e federatës “Qëllimi i dy viteve të fundit ishte të formonim një skuadër kompetitive, dominante në fushë dhe e aftë për të fituar tituj. Humbja ndaj Italisë na dhembi shumë. Është detyra jonë të përpunojmë gabimet tona dhe të gjejmë një zgjidhje. Kemi koncepte gjithëkohore dhe pavarësisht eliminimit nga Italia, nuk ka shkak të ndryshojmë trajektore…
Hierarkia Kritikat mbi udhëheqjen apo drejtimin në fushë nuk kanë sens, të paktën një pjesë e tyre. Shumë prej kombëtareve me liderët klasikë të tyre morën shumë herët valixhet. Tek ne nuk ka hierarki themelore. Ne kemi liderë, të cilët kanë treguar dhe janë në gjendje të japin komandat e duhura. Çdokush është përgjegjës, pasi loja jonë nuk është individuale. Lahm, Shvajnshtaiger apo një Miroslav Klose kanë bërë atë çfarë unë u kam kërkuar.
Himni Është fatale t’u imponosh lojtarëve këndimin e himnit kombëtar. Nëse nuk e këndojnë, kjo s’do të thotë që ata nuk janë gjermanë shembullorë. Edhe nëse nuk e këndojnë, kjo nuk do të thotë që ata identifikohen me skuadrën apo me Gjermaninë. U kam thënë që do të jetë shumë pozitive nëse e këndoni. Por nga ana tjetër i kuptoj arsyet e tyre. Nuk ka të bëjë këndimi i himnit me paraqitjen në fushë.
Taktika ndaj Italisë Kisha një plan të qartë strategjik dhe isha 100 për qind i bindur dhe i vetëdijshëm se çfarë po bëja. Nuk u bazuam shumë tek Italia, por tek loja jonë. Ajo çfarë ne nuk bëmë, ishte mosluftimi me armët tona. S’gjetëm ritmin që doja unë dhe humbëm ekuilibrin. Plani ishte që në qendër të mesfushës të mbizotëronim ne. Kjo s’ndodhi. Unë e kam thënë që nuk kemi vetëm 11 titullarë. Kundër çdo rivali më duhet të vendos nga situatat dhe këtë gjë do bëj edhe në të ardhmen…
Bilancet dhe projektet Në shumë drejtime jemi përmirësuar në krahasim me 2010-n, si në stilin e lojës, mbajtjen e topit, faullet e shkaktuara etj, vetëm shanset për të shënuar ishin negative. Teksa në Afrikën e Jugut na duheshin 5 shanse për të shënuar një gol, në Evropian na duheshin 9. Duhet të jemi stabël jo vetëm në mbrojtje, por duhet të përmirësojmë presingun. Këtë presion e kanë për të detyrë ta bëjnë lojtarët ofensivë. Kam vizione të qarta dhe duhet të punojmë më shumë në aspektin taktik.
Vize, Kakau – Askush nuk ka thënë që si portieri Vize dhe sulmuesi Kakau nuk do të luajnë më me ne. Trajneri Markus Babel u nxitua me deklaratat e tij. Nuk tregoi respekt për asistentin Flik dhe trajnerin Këpke.
Argjentina Duke qenë se shumë prej titullarëve tanë mungojnë, na duhet t’u lëmë hapësira talenteve. Nga ana futbollistike jemi shumë mirë, dhe ofrojmë futbollin më të bukur dhe cilësor. Sigurisht jo gjithçka që shkëlqen është flori. Gjithmonë mbetet mister diçka. Përballjet ndaj kombëtareve si Argjentina, gjithnjë i japin një shkëlqim ndryshe Gjermanisë. Do të përpiqemi të jemi seriozë dhe të dominojmë lojën. Do përdorim çdo mjet për ta fituar ndeshjen. Është pozitive të provosh edhe një herë nivelin me skuadrat joevropiane. Argjentina nuk është e panjohur nga ne. Ka lojtarë të klasit botëror dhe kjo sfidë do na shërbejë shumë para ndeshjeve kualifikuese. Për më tepër dua të provoj talentet tona, reagimin e tyre përballë lojtarëve si Mesi.
Shanset për titull Kritikat nuk ndikojnë te puna ime. Besoj se kemi bërë përparime, dhe për të fituar tituj duhet të paraqesim planin dhe strategjinë ideale. Spanja tregoi që është një skuadër e veçantë, që di të luajë shkëlqyer në hapësira të shkurtra. Pritshmëritë janë të mëdha. Është detyra jonë të fitojmë dhe të zgjeshim rrugën e duhur drejt titullit”.

Ter Stegen zëvendëson Nojerin
Manuel Nojer nuk do jetë në ndeshjen ndaj Argjentinës. Portieri i Bajernit u dëmtua lehtë në Superkupë. “E anulova pjesëmarrjen në miqësore kundër Argjentinës. Do kisha shumë dëshirë të luaja ndaj Argjentinës, por nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore. U uroj fat dhe fitore shokëve”,- shkruan Nojer në sajtin zyrtar të Bajernit. Ndërkohë, trajneri Lëv ka nominuar si zëvendës të tij portierin e M’Gladbahut, Mark-Andre ter Stegen.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"