Kukësi nis turin e forcës, në Kupë ndaj Erzenit do luajnë lojtarët e stolit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2017 | 11:28

Kukësi nis turin e forcës, në Kupë ndaj Erzenit do luajnë lojtarët e stolit

Kukësi luan kundra Erzenit në Shijak për llogari të Kupës së Shqipërisë, veprimtari, të cilën verilindorët e llogarisin si të rëndësishëm. Përpos këtij fakti, më i rëndësishëm për Kukësin në këtë moment është takimi i së shtunës me Skënderbeun, nga ku nis edhe turi i forcës. Gjithsesi, presidenti Gjici e kërkon edhe trofeun e Kupës. Por, duke ditur që është dhe ndeshja e kthimit kundër Erzenit, takimi i parë do të shërbejë për verilindorët si një test prove para sfidës me korçarët.

kukesi

Trajneri Milinkoviç ka zhvilluar seancën stërvitore të radhës, ku ka vendosur dhe formacionin. Ndaj Erzenit priten të aktivizohen shumica e lojtarëve të formacionit të dytë, për shkak se ata nuk kanë pasur shumë minuta, por dhe që t’u japë pak frymëmarrje lojtarëve kryesorë që kanë qenë të ngarkuar.

Kërkesat e Gjicit

Fakti që Kukësi e ka shkurtuar në gjashtë pikë diferencën me Skënderbeun, ka ngrohur presidentin Gjici, i cili ka kërkuar nga stafi drejtues që këta të fundit të bëjnë maksimumin që ekipi të jetë sa më i plotë dhe sa më në formë për sfidën kokë më kokë të së shtunës. Presidenti kërkon që Kukësi të marrë fitoren në Korçë, por në mungesë të fitores, barazimi nuk duhet të diskutohet. Trepikëshi mbetet synimi kryesor.

Verilindorët bëjnë llogari që të paktën në tri ndeshjet e ardhshme, Kukësi të jetë të paktën tri pikë më pak se Skënderbeu, pasi kalendari favorizon ata. Kukësi, pas ndeshjes me Skënderbeun, pret Lushnjën në shtëpi, ndërsa Skënderbeu shkon në Laç që konsiderohet një transfertë e vështirë për çdo ekip. Verilindorët shpresojnë që Skënderbeu të lërë pikë duke mos harruar dhe ndeshjen në transfertë që ata luajnë në Zvicër ndaj Jang Bojsit në Ligën e Europës para këtij takimi me Laçin.

Nëse deri në përfundim të fazës së dytë Kukësi është 3-4 pikë më pak se Skënderbeu, presidenti Gjici do hyjë fuqishëm në merkato për të përmbysur rezultatin me kreun dhe për të tentuar me çdo kusht mbrojtjen e titullit. Në të kundërt, te skuadra verilindore do ketë largime dhe reduktime rrogash.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"