Kukësi nis të bëjë llogaritë, ja sa pikë i duhen për mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2024 | 19:14

Kukësi nis të bëjë llogaritë, ja sa pikë i duhen për mbijetesën

Në Kukës është lënë pas humbja me Partizanin në Kupë dhe tani janë të përqendruar maksimalisht te kampionati. Synimi kryesor i klubit është të sigurojë mbijetesën, ndaj edhe një eliminim i mundshëm në kupë përballë të kuqve nuk konsiderohet dramë nëse do të ndodhë, për më tepër në gjendjen që janë blutë.

kukesii

Në kampionat kjo javë i vë përballë një tjetër rivali direkt, siç është Erzeni. Nëse kthesa nuk bëhet në këtë ndeshje, atëherë edhe misioni mbijetesë bëhet më shumë se i pamundur, duke parë që rivalët mbi ta po marrin pikët dhe po largohen ndjeshëm.

LLOGARITË – Në një situatë të tillë, në Kukës janë duke bërë edhe llogaritë sesi mund të shpëtojnë. Kur po shkon drejt mbylljes edhe faza e tretë, çdo ndeshje që kalon pa marrë pikë, e zbret edhe më shumë Kukësin një kategori më poshtë. Në klub po i bëjnë llogaritë me edicionin e kaluar, ku edhe arritën mbijetesën në javën e fundit.

Për hir të së vërtetës, situata vitin e kaluar ishte shumë më e mirë në aspektin e pikëve, por gjithsesi vetëm në fund shpëtuan. Kuksianët grumbulluan 46 pikë vjet, duke shmangur edhe “play-off”-in. Këtë sezon, duket një mision i pamundur të arrihet në këtë kuotë pikësh, por të paktën shpresojnë që t’u afrohen 40 pikëve që të mos bien direkt. Një mision që mund të arrihet nëse klubi bën kthesën dhe nuk përsërit gabimet që ka bërë këtë sezon.

Në lojë janë edhe 36 pikë në total për t’u luajtur dhe gjithçka shihet e mundur për t’u arritur. Për këtë arsye, në Kukës janë duke bërë llogaritë dhe duan të nisin serinë e fitoreve që këtë javë me Erzenin.

ECURIA – Problemi qëndron në faktin se blutë vijnë pas plot 14 ndeshjesh që nuk fitojnë dhe në 12 takimet e mbetura duhet të bëjnë një kthesë 360 gradë që të shpëtojnë sezonin. Gjithsesi, për aq koha sa matematika do t’ua lejojë, në Kukës do të besojnë deri më fund dhe jo më kot morën edhe trajner të ri. Në ndeshjen debutuese, në humbjen në Kupë ndaj të kuqve, tekniku Bledar Devolli pohoi se mori sinjale pozitive nga ekipi, ndaj mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë të mbajë verilindorët në elitë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"