Kukësi në këmbë, kualifikimi ndaj Valetës vlen 960 mijë euro. Gjici kërkon mbështetje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2018 | 20:08

Kukësi në këmbë, kualifikimi ndaj Valetës vlen 960 mijë euro. Gjici kërkon mbështetje

Kukësi luan për herë të dytë në Ligën e Kampioneve dhe në ndryshim nga debutimi ndaj Sherif Tiraspolit, që rezultoi fatkeq, këtë herë shorti i përkëdheli nënkampionët, duke u rezervuar një kundërshtar më të lehtë, si Valeta. Nesër në stadiumin “Loro Boriçi”, skuadra e Peter Pakult do të kërkojë të hedhë një hap të sigurt drejt kualifikimit.

kukesi

Në lojë janë afro 1 milion euro dhe te Kukësi nuk duan që t’iu ikë nga duart ky shans, për të konfirmuar edhe një herë se ky është një vit i artë sa i përket anës financiare. Pasi shitën në Belgjikë dhe Bjellorusi sulmuesit Sindrit Guri dhe Elis Bakaj, duke përfituar rreth 850 mijë euro në total, tashmë Kukësi e nis aventurën europiane me 540 mijë euro të sigurta.

Kjo është në rastin më keq, pra, të eliminohet nga Valeta në Champions dhe më pas të ketë të njëjtin fat edhe në turin e dytë të Ligës së Europës. UEFA jep 280 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e parë të Ligës së Kampioneve, ndërsa 260 mijë euro për turin e dytë të Ligës së Europës. Në rast se Kukësi arrin të kualifikohet ndaj Valetës dhe shkon në turin e dytë të Ligës së Kampioneve, atëherë ka të sigurta automatikisht 960 mijë euro.

Llogaria është e qartë: 280 mijë euro për turin e parë, 380 mijë euro për turin e dytë dhe 300 mijë euro për pjesëmarrjen në fazën “play-off” të Ligës së Europës. Me këtë variant supozohet që Kukësi, pasi kalon në turin e dytë të Champions, siguron direkt fazën “play-off” të Ligës së Europës. Edhe në rast eliminimi aty, në total në arkat e klubit do të shkojnë 960 mijë euro. Nëse Kukësi kalon dy tyre në Champions, atëherë merr pjesë automatikisht në fazën e grupeve të Ligës së Europës, aty ku do të marrë direkt 2.92 milionë euro, pa përfshirë këtu bonuset. Një vit ku mund të bëhet historia dhe pse jo, të përsëritet suksesi i Skënderbeut në sezonin e kaluar në Europë.

APELI I KLUBIT – Klubi i Kukësit ka një mesazh për tifozët në prag të ndeshjes me Valetën, që do të luhet nesër në orën 19:00. “Presidenti Safet Gjici dëshiron të njoftojë të gjithë tifozët e shumtë të ekipit tonë se për ndeshjen KukësiValeta do të ketë autobusë falas. Ne dëshirojmë që të gjithë tifozët e zjarrtë të Kukësit të jenë të pranishëm në stadium për të mbështetur ekipin në këtë përballje të rëndësishme. Autobusët falas do të nisen në Kukës, Zhur të Prizrenit dhe Kamzë. Presidenti Gjici dhe klubi dëshirojnë që të jemi të gjithë bashkë në mbrëmjen e 11 korrikut në stadiumin e Shkodrës, për të mbështetur skuadrën tonë në arritjen e një fitoreje, duke kërkuar kualifikimin për në fazën tjetër”, citohej në njoftimin e klubit.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"