Kukësi me moral të lartë, kurbinasit “gjahu” i preferuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2024 | 10:21

Kukësi me moral të lartë, kurbinasit “gjahu” i preferuar

Laçi shihet si një “kamerdare” shpëtimi për Kukësin në këtë pikë të kampionatit.

FOTO: F. Hazisllari

FOTO: F. Hazisllari

Një fitore përballë kurbinasve do të mbante gjallë shpresat e bluve për të tentuar deri në fund mbijetesën në Superiore, edhe pse rezultatet e kohëve të fundit duket se e kanë zbehur jo pak arritjen e këtij objektivi. Gjithsesi, në Kukës nuk janë dorëzuar për asnjë moment. Trajneri Bledar Devolli nuk do të ketë mungesa për arsye kartonësh në këtë ndeshje, ndërsa disa prej lojtarëve kryesorë të formacionit po rikthehen në formën e tyre optimale, pas dëmtimeve që kishin pësuar.

SHIFRA OPTIMISTE – Në fakt, janë edhe shifrat në përballjet me Laçin që i japin besim skuadrës së Devollit, sepse ka 7 ndeshje radhazi pa humbje ndaj kurbinasve. Bilanci është 5 fitore dhe 2 barazime në favor të kuksianëve. Dy vitet e fundit verilindorët kanë qenë mjaft efikasë kundër Laçit dhe do të mundohen të jenë po kështu në ndeshjen e së hënës. Tri ndeshjet e fundit si pritës blutë kanë arritur t’i fitojnë dhe synimi është të vazhdojnë me këtë trend pozitiv, edhe pse e kanë të qartë se nuk do të jetë një shëtitje. Kurbinasit nuk kanë një formë të mirë, por kanë ende shpresa për të shkuar në “Final 4”, prandaj dhe përballja e së hënës pritet “zjarr”, ndonëse pa praninë e spektatorëve, sepse fusha e Kukësit është dënuar pas ngjarjeve që ndodhën në ndeshjen me Erzenin.

MORALI I LARTË – Në Kukës e kanë vënë theksin te faktise kualifikimi në Kupën e Shqipërisë kundër Partizanit mund të shërbejë edhe për të ngritur moralin në kampionat dhe për ta shfrytëzuar këtë faktor në favorin e tyre. Ajo ndeshje tregoi se blutë i kanë mundësitë për të fituar ndaj çdo kundërshtari këtë sezon. Në kampionat nuk i kanë siguruar ende pikët e para për vitin 2024 dhe ndoshta ka ardhur momenti për të bërë kthesën e shumëpritur. Fusha do të tregojë, nëse Kukësi do të vazhdojë të ketë “alergji” nga pikët këtë vit, apo do të humbasë përfundimisht shpresat për mbijetesë. Matematika i mban në lojë kuksianët dhe u jep të drejtën të besojnë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"