“Kukësi më ka lënë dorë të lirë në merkato”, Gega: Objektivi ynë është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 14:23


“Kukësi më ka lënë dorë të lirë në merkato”, Gega: Objektivi ynë është…

Kukësi do ta nisë edicionin e ri të Kategorisë Superiore në shtëpi ndaj Tiranës, nesër në orën 17:00. Në vigjilje të kësaj ndeshjeje, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Kukësit, Skënder Gega, i cili ka analizuar këtë takim për verilindorët:

SKENDER GEGA 1

Kukësi – “Kënaqësi të jem këtu në stadiumin e Kukësit një ditë para ndeshjes së parë të këtij edicioni. Kemi pasur në dispozicion një kohë të gjatë, jemi munduar të jemi aktiv dhe të fillojmë ndërtimin e ekipit. Kemi pasur lëvizje të ndryshme, jemi munduar që të afrojmë lojtarë të rëndësishëm që na duhen. Besoj se kemi bërë më të mirën me mundësitë që kemi pasur. Kemi pasur dhe lojtarë që i kemi pasur në planet tona dhe jo të gjithë kanë thënë po, edhe pse klubi u ka plotësuar të gjitha kërkesat e tyre. Jemi munduar gjatë gjithë kësaj kohe të marrim 100% nga secili dhe kjo është sfida jonë, që të marrim më të mirën e mundshme.”

Tirana – “Për një trajner profesionit dhe një ekip profesionist duhet vlerësuar çdo ekip. Tirana është një klub i madh, me traditë. Ata kanë lojtarë me përvojë dhe cilësi. Ne e vlerësojmë por kjo s’do të thotë se e mbivlerësojmë Tiranën. Ne e dimë potencialin tonë dhe shpresoj të dalim në 100% tonë. Vetëm ndeshjet mund ta tregojnë se ku çalojmë dhe çfarë mund të përmirësojmë.”

Objektivat – “Objektivi ynë dihet, luajmë para tifozëve tanë që besoj se do na mbështesin. Çdonjëri nga ne do të marrë më të mirën. Është një proces i përbashkët dhe fusha do e tregojë. Objektivi ynë është që të marrim maksimumin. Maksimumi ynë nuk është vendi i tretë apo i katërt. Është vetëm ndeshja e parë dhe as nuk na e jep dhe as nuk na e merr kampionatin. Duhet të ruajmë qetësinë dhe të luajmë fort. Tre pikët janë tre pikë dhe janë shumë të rëndësishme ta nisim me këmbën e mbarë. Janë 36 ndeshje dhe duhen menaxhuar dhe duhet të bëjmë sa më pak gabime gjatë rrugës.”

Merkato – “Është e hapur, jemi munduar t’i dublojmë pozicionet. Klubi na ka lënë dorë të lirë që nëse do ketë nevojë do ketë ndërhyrje në disa reparte. Unë nuk kam dëshirë dhe nuk është etike për mua që këta që janë sot e kanë firmosur të rrinë me dilemë. Sot janë pjesë e ekipit dhe do mundohemi të marrim maksimumin. Nëse dikush do afrohet në të ardhmen, e ka derën e hapur.”

Lojtarët – “Jemi hapur që edhe pse kanë ardhur nga jashtë janë pjesë e Kukësit do luajnë vetëm ata që janë gati pavarësisht se nga vijnë apo si e kanë kontratën apo të kaluarën që kanë. Gjatë këtyre ditëve kemi parë çdo lojtarë dhe nuk e shoh si shqetësim dhe e shoh si favor rregullin e aktivizimit vetëm me 5 të huaj. Kanë ardhur vetëm ata që kanë thënë po, pasi kemi pasur dhe lojtarë të tjerë që kanë qenë në kontakt me ne.”

Organizimi – “Gjëra që nuk funksionojnë dua t’i marr vetë përsipër. E ndaj administratën me ekipin e futbollit. Në klub kanë ardhur shumë njerëz, menaxherë, drejtorë, dhe ata që kanë pranuar ofertat kanë qenë më të saktë. Kam pasur dorë të lirë, por përsosmëria nuk ka fund. Kam stërvitur lojtarë që sot janë në Seria A dhe La Liga, por kjo s’do të thotë se do i sjellim këtu. Klubi ka bërë më të mirën për tregun shqiptar.”

Grupi – “Asnjë nuk është perfekt. Duhet të mbështesim njëri-tjetrin. Jemi pak emocional ne veriorët. I kemi mundësitë që gjërat të shkojnë mirë. Kemi rivalë të fortë. Jam munduar të fus një frymë optimiste dhe besimi, duhet të marrim maksimumin, që arrihet vetëm kur arrin objektivat”, përfundoi Skënder Gega.

PANORAMASPORT.AL