Kukësi i “lehtë”/ Përmbyset vazhdimisht nga kundërshtarët, ndikon edhe… gjykimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2024 | 17:15

Kukësi i “lehtë”/ Përmbyset vazhdimisht nga kundërshtarët, ndikon edhe… gjykimi

Humbja ndaj Erzenit i dha në një farë mënyre edhe goditjen finale Kukësit sa i përket qëndrimit në Superiore. Kjo disfatë komplikon shumë mbijetesën, pasi tani e shohin veten shtatë pikë larg zonës “play-out” që mbahet pikërisht nga shijakasit.

kukesi

Në një situatë të tillë, duke parë që blutë vijnë pas shtatë humbjesh radhazi dhe për më tepër pas 15 takimesh pa fitore, në lojë i mban vetëm matematika. Me pak fjalë, nga 45 pikëtë mundshme në 15 ndeshjet e fundit, skuadra ka marrë vetëm 6 pikë, duke e zhytur të vetme në vendin e fundit në klasifikimin e Kategorisë Superiore.

PËRMBYSJET – Këtë sezon, skuadra ka vuajtur jo pak nga përmbysjet që i kanë ndodhur, duke i hequr nga duart pikë të vlefshme që këtë sezon më shumë se kurrë i kishin të nevojshme. Ndaj Erzenit, ishte përmbysja e fundit e një serie të ndodhur deri më tani.

Skuadra shënon e para, por nuk ka forca për t’ia dalë mbanë deri në fund dhe sipas të dhënave, bëhet fjalë për plot pesë takime të këtij viti që Kukësi e ka pësuar kur kalon në avantazh. Nga këto ndeshje janë koleksionuar tri humbje dhe dy barazime.

Respektivisht blutë janë mundur nga Egnatia, Tirana dhe Erzeni, pasi shënuan të parët, duke mos dalë dot në fund edhe me të paktën një pikë. Sakaq, në dy raste i kanë mbyllur në barazim, ndaj Partizanit dhe Laçit, duke lënë kështu pikë të tjera të rëndësishme në kampionat.

ARBITRIMI – Duhet thënë se në disa prej këtyre ndeshjeve klubi ka pasur edhe pretendimet e tyre për arbitrimin, sidomos për dy penalltitë në favor të bardheblutë të Tiranës pak javë më parë, të cilat Kukësi nuk i përtypi dot.

Madje nuk munguan as notat e protestës më herët duke u shpallur “non-grata” gjyqtarë e delegatë, pasi klubi aludonte për një dashakeqësi dhe po dëmtonin me dashje skuadrën. Me pakfjalë, nga njëra anë “fajet” e vetë skuadrës duke mos ruajtur dot avantazhet në rezultat dhe më pas “fajet” e arbitrave, e kanë sjellë Kukësin në situatën ku vetëm një mrekulli e mban në elitë.

Gjithsesi, në klub do të tentojnë ta shpëtojnë sezonin për aq kohë sa matematika ua lejon, pasi në lojë është ende edhe një fazë për t’u luajtur.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"