Kthehen në fushë pas 55 ditësh, Lika e Sentamu plotësojnë Tiranën para Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2018 | 20:17

Kthehen në fushë pas 55 ditësh, Lika e Sentamu plotësojnë Tiranën para Bylisit

Tirana me “artileri” të rëndë ndaj Bylisit. E fundit ndeshje për këtë sezon në inferiore do të rikthejë në fushë titullarët. Vendin e eksperimenteve tashmë do ta zërë eksperienca. Dhe kjo për një logjikë të thjeshtë: ky 90- minutësh është i gjithi në funksion të finales me Kastriotin.

Edhe pse në dy takimet e fundit hera-herës kanë marrë minuta lojtarë si Kërçiku, Hoxhallari, Karabeci, Daja, Maveje apo edhe Greca, këtë herë ajo që bie më shumë në sy është rikthimi i Ilion Likës dhe Junus Sentamusë. Që të dy do të jenë titullarë nesër ndaj ballshiotëve, duke u rikthyer në fushë pas një mungese të stërgjatë. Zyrtarisht, e fundit herë që kanë zbritur në fushë përkon me 17 marsin, ndërsa fitonin 2-1 me Tomorin në shtëpi. Por, që pas asaj sfide, as njëri dhe as tjetri nuk kanë luajtur.

tirana

Portieri si pasojë e një dëmtimi në gju, ndërsa sulmuesi pasi “humbi” për gati një muaj në Ugandë. Por “pushimeve” u ka ardhur fundi. Ata do të jenë nga minuta e parë në këtë duel, duke marrë minutat e munguara prej 55 ditësh. Nëse deri tani Tirana donte me çdo kusht vetëm Kupën e Kategorisë së Parë dhe milionat, tashmë do edhe trepikëshin me Bylisin për të rikuperuar penalizmin që i bëri Komisioni i Disiplinës. Nëse ia dalin, do të shkonin sërish në kuotën e 42 pikëve.

“BOMBERAT” – Tirana është një “makineri” golash. Këtë sezon bardheblutë kanë shënuar me bollëk, duke realizuar 64 të tillë në vetëm 24 ndeshje. Dhe shënuesit më të mirë mbeten Junus Sentamu e Majkëll Ngoo me nga 12 dhe 11 secili. Është përmendur shpesh që kryeqytetasit si kurrë më parë kanë dy “bombera” dhe jo një, megjithatë po të bësh një vëzhgim me vitet e fundit, duhet thënë që asnjëri prej tyre nuk ia ka kaluar Elis Bakajt. Ai mbetet golashënuesi më i mirë i Tiranës për dy sezone, me 13 rrjeta në 2014- 2015 dhe me 14 në 2015-2016. Megjithatë, ugandezi Sentamu ka shanset që ta thyejë këtë rekord nëse shënon më shumë se tre gola ndaj Bylisit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"