“Krenari të vishem kuqezi”, Rashica te Kombëtarja Shpresa: U befasova kur më erdhi ftesa, një ëndërr e bërë realitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2023 | 20:58

“Krenari të vishem kuqezi”, Rashica te Kombëtarja Shpresa: U befasova kur më erdhi ftesa, një ëndërr e bërë realitet

Nga Skënderbeu te zgjedhja e ngjyrave kuqezi të Kombëtares shqiptare. Ermir Rashica po kalon momentin e tij më të mirë që prej transferimit nga Trepça ’89 te korçarët në verën e këtij viti. Dje 19-vjeçari është grumbulluar zyrtarisht nga trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, për ndeshjet që kuqezinjtë do të luajnë më 17 dhe 21 nëntor ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi.

Rashica

Rashica ka luajtur më parë 6 herë me Kombëtaren U-19 të Kosovës, duke shënuar edhe një gol. Ndeshjen e tij të fundit me Kosovën U-19 e luajti në nëntor të vitit të kaluar. Gjatë këtij sezoni me fanellën e Skënderbeut ka luajtur në 12 ndeshje, duke shënuar një gol dhe dhënë 3 asiste. Për sulmuesin që mund të përshtatet nga krahët, por edhe në qendër të këtij reparti, ftesa nga Shqipëria ka qenë një plotësim i ëndrrës për të veshur fanellën kuqezi.

I riu nga Mitrovica, në një prononcim ekskluziv të dhënë dje për “Panorama Sport, tregoi emocionet e para të këtij grumbullimi dhe pritshmëritë që ka për të ardhmen. “Sigurisht që të luash për flamurin kuqezi është krenari.

Diçka që të mbush dhe të fal emocion të jashtëzakonshëm. Jam i lumtur që mbërriti kjo ftesë dhe nuk kisha se si të mos e pëlqeja. Është një ëndërr, e cila është bërë realitet. Jam befasuar kur kam marrë ftesën, por nga ana tjetër e kam pasur objektiv në vetvete. Zgjodha ngjyrat e kombit dhe kjo më bën më shumë krenar dhe të lumtur. Shpresoj që të më shkojë mbarë dhe të rritem akoma edhe më shumë nga ky grumbullim”, ka thënë fillimisht sulmuesi kosovar.

SKËNDERBEU – I ndalur më pas te ndeshjet e fundit me Skënderbeun, ku ekipi ka marrë vetëm dy pikë në pesë takime, Rashica e sheh si mungesë fati më shumë sesa një problem të skuadrës për të fituar. Sipas sulmuesit, ekipi po luan mirë dhe ky është tregues se rezultatet do të vijnë. “Nuk mund të them se kemi bërë keq në raport me gjithçka.

Na mungojnë vetëm pikët, por loja dhe rendimenti është aty. Dukshëm kemi bërë më të mirën tonë dhe kemi dominuar kundërshtarin si në ndeshjen e fundit. Na ka munguar vetëm fati dhe kjo është e gjitha, por duhet të reagojmë, pasi pikët janë ato që duhen në këto momente. Na bëjnë punë dhe prandaj duhet të bëjmë kthesën me Teutën”, deklaroi 19-vjeçari, i cili ka krijuar raste pafund, por deri më tani ka shënuar vetëm një gol. Bashkëveprimi në sulm me Ardit Nikajn, sa po vjen dhe po bëhet më produktiv. Ky është një sinjal që Rashicën e bën të ndihet mirë.

“Të luaja sulmues i parë ka qenë një pozicion i ri për mua, por që e kam pëlqyer, pasi jam më afër portës. Me Nikajn ndihemi mirë në sulm dhe kemi filluar të harmonizohemi. Jam i lumtur që do të jemi bashkë në Kombëtare, pasi te dy mund të rritemi akoma edhe më shumë”, përfundoi Rashica.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"