Korabi në “ajër”, sot FSHF-ja vendos për stadiumin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2017 | 11:30

Korabi në “ajër”, sot FSHF-ja vendos për stadiumin

Korabi mbetet ende në ajër për sa i përket stadiumit. Pasi u caktua të luajë ndaj Laçit në “Elbasan Arena”, klubi dibran pak ditë më parë bëri me dije ajo ishte ndeshja e fundit që do të luante jashtë fushe. Një deklaratë e tillë u bë duke parë ecurinë e punimeve në stadiumin e Peshkopisë, por një tjetër lajm vjen nga zyrtarët e FSHF-së.

Ka qenë vetë sekretari Ilir Shulku ai që ka folur në lidhje me këtë çështje, duke deklaruar se ende stadiumi i Korabit nuk i plotëson kushtet optimale që duhen për mbarëvajtjen e një ndeshjeje.

Stadiumi Korabi 2017

“Jo, nuk kemi vendosur ende. Javën e shkuar u krye një inspektim në Peshkopi dhe kishte ende mangësi. Lamë disa detyra dhe këtë javë do të bëjmë sërish një inspektim për të parë a është kryer gjithçka. Vetëm pas inspektimit do të vendosim ku do të luhet Korabi-Skënderbeu”, ka thënë Shulku në një intervistë televizive.

Ndërsa dje administratori i klubit, Fehmi Mziu, ka bërë me dije se sot do të jetë edhe inspektimi i fundit në mjediset e impiantit. “Ne jemi plotësisht të bindur se nesër (sot) do të marrim një përgjigje pozitive për ta zhvilluar ndeshjen me kampionët korçarë, në shtëpinë tonë. Të gjitha udhëzimet dhe detyrat që ata lanë për ne gjatë javës së kaluar, ne jemi munduar t’i realizojmë dhe besoj se nuk do të ketë asnjë vendim ndryshe përveçse ndeshjet t’i luajmë në shtëpi”, ka thënë Mziu për “Panorama Sport”.

Ndërkohë në stërvitjen e djeshme të dibranëve ka pasur festë, pasi Tedi Laço dhe Denis Peposhi kanë festuar me pjesën tjetër të ekipit ditëlindjet e tyre, pasi mbushnin 22 vjeç.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"