Koleci nostalgji për Tomorin, por kërkon fitoren me Burrelin në transfertën e Beratit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2024 | 20:07

Koleci nostalgji për Tomorin, por kërkon fitoren me Burrelin në transfertën e Beratit

Burreli do të luaj nesër kundër Tomorit në transfertë, një takim që konsiderohet i rëndësishëm për ecurinë e skuadrës matjane. Kur duhen dhe pesë javë nga mbyllja e kampionatit, ekipi i drejtuar nga trajneri Klevis Hima renditet në vendin e tetë me 31 pikë.

burreli, koleci farruku

Pas humbjes me Besën, një hap tjetër fals kundër Tomorit këtë fundjavë, do ta komplikonte seriozisht luftën për mbijetesë. “Ndeshja kundër Besës duhet harruar një orë e më parë. Një neglizhencë solli humbjen që nuk e meritonim. Ajo i përket së shkuarës, edhe pse kemi humbur një mundësi ‘të artë’ për t’iu shkëputur fundit”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, mesfushori i matjanëve Eristotel Koleci. Sfida e kësaj jave kundër Tomorit për mesfushorin e Burrelit ka një të veçantë.

Para disa sezonesh ai ka qenë pjesë e skuadrës beratase, të cilën mesfushori matjan e kujton me nostalgji. “Më vjen keq që skuadra e Tomorit që ndodhet në një situatë të tillë. Me emrin që ka ajo në futbollin shqiptar, kurrsesi nuk e meriton të jetë në një pozitë të tillë. Në dy edicionet e qëndrimit tim te kjo skuadër, ruaj respektin e shokëve të skuadrës dhe tifozërisë. Uroj sa më parë që kjo skuadër t’i rikthehet elitës së futbollit shqiptar”, shprehet mes të tjerash mesfushori Koleci.

Në fund të prononcimit të tij, ai shpreh hapur ambicien e tij, ku marrja e tri pikëve mbetet parësore për skuadrën. “Do të udhëtojmë drejt Beratit për të marrë tri pikët. Fitorja mbetet i vetmi rezultat që na kthen qetësinë”, përfundon prononcimin e tij mesfushori i matjanëve. Në dy ndeshjet e këtij sezoni me Tomorin, skuadra matjane ka arritur të marrë dy fitore.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"