Koefiçenti në UEFA, Shqipëria vazhdon rënien. Skënderbeu sërish “barkë shpëtimi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2017 | 22:55

Koefiçenti në UEFA, Shqipëria vazhdon rënien. Skënderbeu sërish “barkë shpëtimi”

Zhvillimi i ndeshjeve të para të turit të dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve dhe të Ligës së Europës ka sjellë sërish ndryshime në koefiçentët e kampionateve të shteteve europiane në varësi të pikëve të grumbulluara nga rezultatet e skuadrave që përfaqësojnë secilin shtet.

skenderbeu1

Shqipëria, e mbetur në garë vetëm me dy ekipe tashmë, Kukësi dhe Skënderbeu, ka pësuar rënie me një vend në renditjen që i përket koefiçentit të grumbulluar vetëm për këtë sezon. Pas turit të parë kualifikues koefiçenti e rendiste Shqipërinë në vendin e 39, ndërsa pas humbjes së Kukësit në Moldavi dhe barazimit të Skënderbeut në Kazakistan, Shqipëria ka rënë në vendin e 40.

serran

Megjithatë duke u kombinuar bashkë me rezultatet e skuadrave të shteteve të tjera, Shqipëria nuk pëson ndryshim në renditje sa i përket koefiçentit të përgjithshëm, të grumbulluar në 5 sezonet e fundit, ndaj njësoj si pas ndeshjeve të turit të parë, pikët aktuale e renditin në vendin e 38 në Europë për fillimin e sezonit të ri.

Barazimi i Skënderbeut me Kairatin i ka dhënë mjaftueshëm pikë Shqipërisë sa për të mos humbur vende të tjera në këtë renditje, teksa aktualisht janë humbur 2 duke qenë se para fillimit të ndeshjeve europiane qëndronim në vendin e 36.

koeficentet

Vazhdon rritja e madhe e Maqedonisë e cila ka ende 3 ekipe në lojë në garat europiane. Duke marrë vetëm sezonin aktual, shteti fqinj mban vendin e 12 në Europë, por një pozicion aq i lartë vjen si pasojë se skuadrat e shumë prej shteteve të mëdhenj akoma nuk e kanë nisur garën në kupat e Europës. Megjithatë me paraqitjen e deritanishme, Maqedonia ka fituar 3 vende në klasifikimin e përgjithshëm, duke u ngjitur nga vendi i 43-të ku e nisi këtë sezon, në vendin e 40 për sezonin e ardhshëm.

Kjo renditje do të ndryshojë vazhdimisht gjatë këtij sezoni deri në fund të kompeticioneve europiane, ndaj pozicionet aktuale nuk janë përfundimtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"