“Kemi prova që Siti ka gënjyer”, Kahn paralajmëron UEFA-n: Kujdes me rregullat e FPF-së

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2020 | 21:54

“Kemi prova që Siti ka gënjyer”, Kahn paralajmëron UEFA-n: Kujdes me rregullat e FPF-së

Bajerni i Mynihut vazhdon që të bëjë presion në distancë, ndoshta me të drejtë kundër UEFA-s, pas çështjes “Mançester Siti”, lidhur me rregullat dhe normat e “FPF”-së (“Fair Play-t Financiar”). Pas shefit ekzekutiv, Karl-Hainz Rumenige, dje ka folur edhe Oliver Kahn, drejtori i përgjithshëm bavarez, i cili mendon se UEFA tashmë duhet të nisë të jetë shumë më e ashpër me klubet që dyshohen se nuk kanë respektuar normat: “Nuk kam asgjë me Mançester Sitin në veçanti, por fakti është se UEFA tashmë duhet të trajtojë me më shumë ashpërsi dhe vëmendje çështjet e ‘Fair Play-t Financiar’. Fakti që UEFA doli duke akuzuar se Mançester Siti akuzohej për shkelje të rënda dhe në fund nuk rezulton asgjë, është diçka që duhet parë si një shembull, në mënyrë që në të ardhmen të ndëshkohen ashpër ata që bëjnë lëvizje jashtë normave me bilancet e tyre”, deklaroi Oliver Kahn.

kahn

“DER SPIEGEL” – Por nëse UEFA kërkoi dënimin 2-vjeçar të Mançester Sitit, duke e lënë jashtë Ligës së Kampioneve, ishte KAS-i (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) që e nxori të pafajshëm Mançester Sitin, ndonëse edhe pse si i tillë, në fund iu desh që të paguante një gjobë prej 10 milionë eurosh. Diçka e tillë ndezi disa zëra shumë të ashpër në Angli, si ai i Zhoze Murinjos dhe i Jyrgen Klopit, por me sa duket edhe të drejtuesve të lartë të Bajernit të Mynihut. Dhe si për të mbajtur ende gjallë këtë temë, edhe gjermania “Der Spiegel” nënvizon se nuk do ta lërë me kaq këtë çështje, përkundrazi, siguron se ka provat e shkeljeve të bëra nga Mançester Siti.

“Klubi anglez ka gënjyer përpara KAS-it dhe ne kemi të gjitha provat që e dënojnë Mançester Sitin. Ky klub ka bërë shkelje të mëdha në bazë të normave të ‘Fair Play-t Financiar’, falë disa marrëveshjeve ekonomike jo të rregullta”, shkruan “Der Spiegel”, që pritet të bëjë publike provat që ka në dorë.

mancester siti

Ndërkohë, nga ana e tyre, Mançester Siti i është kundërpërgjigjur medias gjermane në fjalë, gjithashtu me tone të ashpra: “Pyetjet dhe çështjet e ngritura nga ‘Der Spiegel’ duket se janë një tentativë cinike për të minuar një çështje që tashmë është gjykuar dhe mbi të cilën është marrë një vendim. Procesi në KAS ka qenë i detajuar dhe shumë i drejtë, duke na dhënë me të drejtë pafajësinë. Për më shumë, politika jonë si klub është që të mos komentojë materiale jashtë kontekstit, aq më shumë nëse këto dosje mendohet se kanë rënë në dorë të mediave përkatëse në mënyrë kriminale nga personeli i ‘City Football Group’ apo i Mançester Sitit”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"