Kastriotit i këputen “krahët”, ndaj Tiranës i mungojnë protagonistët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 14:02

Kastriotit i këputen “krahët”, ndaj Tiranës i mungojnë protagonistët

Fitorja e fundit ndaj Kukësit ka ngjallur shpresat e Kastriotit për të bërë një mrekulli për mbijetesën, ashtu si ndodhi në sezonin e kaluar, kur në stol ishte sërish Emiljano Çela. Mirëpo, ndeshja e radhës e krutanëve është mjaft delikate, pasi të dielën në orën 18:00 në stadiumin “Elbasan Arena” do të kenë përballë kampionët në fuqi të Tiranës.

KASTRIOTI 3

Në skuadër ka moral të lartë pas fitores me kuksianët, por ajo që prish planet e trajnerit Çela janë ndëshkimet me kartonë të tre titullarëve. Mësohet se mbrojtësi i majtë, Armando Rami, si dhe sulmuesit e krahut, Bedri Greca dhe Redon Mihana, nuk do të jenë të gatshëm kundër bardhebluve. Pas kartonëve të verdhë që kanë marrë në ndeshjen e fundit, ata kanë plotësuar numrin katër të tyre dhe janë të detyruar të mungojnë këtë javë. Sigurisht që kjo ia vështirëson shumë ndërtimin e formacionit trajnerit Çela edhe pse alternativat te krutanët nuk mungojnë. Greca dhe Mihana po kalonin një formë shumë të mirë, me këtë të fundit që ka arritur të shënojë tre gola të rëndësishëm. Gjithashtu Rami prish jo pak punë sa i përket krahut të majtë të mbrojtjes, aty ku si alternativë është vetëm Sulkja.

Kastrioti ka ditur të befasojë Tiranën në sezonet e fundit dhe Çela do të mundohet të ndërtojë një strategji për të bllokuar bardheblutë, të cilët po kalojnë një formë të mirë. Fakti që luhet sërish në Elbasan dhe Kastrioti është mësuar me këtë fushë, e ngroh stafin teknik, për vetë faktin se edhe ana psikologjike e lojtarëve është më e mirë.

SHKËLQIM HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"