Karamba dhe Ivan, Dinamo ka bërë “bingo” në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 28, 2023 | 22:31

Karamba dhe Ivan, Dinamo ka bërë “bingo” në merkato

Dinamo ka qenë një nga skuadrat më aktive në merkato, si në verë dhe në dimër. Në janar drejtuesit u munduan të fuqizonin grupin, për të pasur më shumë siguri në realizimin e objektivit të ngjitjes në Superiore. U afruan disa lojtarë, kryesisht nga jashtë vendit, si portieri Luka Krosta nga Greqia, Amarildo Gjoni dhe Alen Ndreu nga Italia, apo dhe Realf Zhivanaj nga Tirana.

dinamo

Në momentet e fundit të tregut të transferimeve me kryeqytetasit u bashkuan afrikanët Babakar Fall dhe Karamba Gasama, ndërkohë që u lanë vende bosh në listën e federimeve dhe pas rifillimit të ndeshjeve erdhi edhe sllovaku David Ivan nga Bjellorusia. Nga gjithë këta emra, Dinamo duket se ka bërë “bingo” në mesfushë, ku ka afruar dy lojtarë vërtetë cilësorë, Ivan dhe Karamba.

KARAMBA – Lojtari nga Gambia, Karamba Gasama, duket një lojtar me kualitet dhe me të ardhme të sigurt. Edhe pse është vetëm 18 vjeç, mesfushori ka luajtur 5 ndeshje deri tani me blutë, dy nga të cilat nga minuta e parë. Si Dede në fillim, ashtu edhe Mehmeti aktualisht, e kanë pëlqyer të riun afrikan për cilësitë që zotëron. Ai konsiderohet vërtet një ‘bingo’ edhe për faktin se është shumë i ri në moshë dhe në të ardhmen mund t’i sjellë përfitime financiare Dinamos. Është pa dyshim një nga elementët më interesantë të Kategorisë së Parë.

IVAN – Pak më ndryshe është rasti i sllovakut David Ivan, një mesfushor me shumë eksperiencë dhe i rritur në shkollën e Sampdorias në Serinë A. Ivan zuri menjëherë vend në formacionin e Dinamos, madje ka shënuar edhe një gol në transfertën e Lezhës. Edhe në këtë rast blutë duket se kanë goditur në shenjë, pasi bëhet fjalë për një futbollist të pjekur, që ndoshta kur skuadra të luajë në Superiore vlerat e tij do të dalin më shumë në pah. Drejtuesit e klubit kryeqytetas besojnë se Ivan mund të bëjë diferencën në kampionat.

TË TJERËT – Nga lojtarët e tjerë të ardhur gjatë merkatos së dimrit, portieri Luka Krosta është titullar. Ai ka një të kaluar te Milani dhe duket se është një element që mund t’i shërbejë Dinamos. Ka munguar në dy ndeshje për shkak dëmtimi, ndërsa me rikthimin ndaj Flamurtarit i dha siguri skuadrës në prapavijë. Amarildo Gjoni ka qenë i dëmtuar dhe ka luajtur pak minuta deri tani. Po ashtu edhe i riu Ndreu është aktivizuar shumë pak. Interesant është rasti i sulmuesit Fall, i huazuar nga Bylisi. Ai shënoi golin e barazimit në sfidën me Skënderbeun dhe më pas u “zhduk”.

Mbrojtësi Realf Zhivanaj ishte titullar me trajnerin e mëparshëm Nevil Dede, kurse trajneri aktual, Dritan Mehmeti, preferon dyshen Imami-Dikson në qendër. Skuadra ka rifilluar dje stërvitjen pas një dite pushimi në fundjavë. E gjithë vëmendja është te ndeshja e radhës me Korabin, që luhet të hënën e ardhshme në kryeqytet.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"