“Kampionati të mos nisë”, flet Sokol Kushta: Liga është një farsë, futbolli ynë mbaron…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2019 | 20:40

“Kampionati të mos nisë”, flet Sokol Kushta: Liga është një farsë, futbolli ynë mbaron…

Sokol Kushta mendon se kampionati sh qiptar nuk duhet të nisë pa u miratuar ligji për sponsorizimin nga parlamenti. Sipas legjendës së futbollit vlonjat, krijimi i Ligës Profesioniste ishte një farsë, sepse të gjitha klubet janë të bashkive. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-sulmuesi i shquar kujton se po i del parashikimi që ka bërë dy vite më parë, ku deklaronte se pa ndihmën e bashkive kampionati shqiptar nuk mund të zhvillohet. Sa i përket problematikës së Flamurtarit dhe faktit se pritet të marrë pjesë në garë vetëm me të rinjtë vlonjatë, Kushta nuk çuditet, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që klubi kalon të njëjtën situatë.

sokol-kushta1-470x303

Zoti Kushta, futbolli ëshnë kaos dhe së fundmi në mbledhjen e Ligës Profesioniste u paralajmërua edhe shtyrja e kampionatit…?

Liga Profesioniste që u krijua ishte një farsë. Liga është pozitive, por forma si u ngrit nuk ishte reale. Duhet që më parë të ishte bërë ligji mbi sportin, pastaj të bliheshin klubet nga investitorët dhe ata të ngrinin ligën dhe të zgjidhej presidenti. Këtu u anashkaluan këto shkallë.

Pse mendoni kështu?

Mendoj kështu, sepse të gjitha klubet janë të bashkisë. Si mund të ketë Ligë Profesioniste? Me kë? Në momentin që heq bashkitë, pothuajse asnjë klub nuk qëndron dot në Ligën Profesioniste. Unë kam afërsisht dy vjet që kam thënë se kampionati po të mos ketë bashkitë, nuk zhvillohet. Po ta shikoni, drejt asaj rruge po vete.

Një nga klubet në kolaps të plotë është Flamurtari, ndërsa vetë administratori Idrizi ka apeluar që kampionati të mos nisë pa u miratuar ligji për sportin…?

Për mua Idrizi ka të drejtë, por mos të qëndrojmë vetëm tek ai si emër. Të gjithë presidentët që duan të investojnë në futboll këtë mendim kanë.

Cila është zgjidhja për klubin vlonjat?

Ligji për sportin është themeli futbollit profesionist. Unë isha në një takim me presidentin e federatës së Kosovës dhe kemi shkëmbyer shumë mendime reale. Atë që disa drejtorë klubesh kemi kërkuar këtu e 9 vjet para, Kosova e bëri për 2 vjet. Kjo është një detyrë e parlamentit për ta votuar sa më shpejt dhe bashkitë të lirohen  nga pagesat për sportistët, pasi dihet që këto pagesa vijnë nga taksat e popullit. Përveç 3-4 klubeve, të gjitha të tjerat janë në ajër. Nuk e di si do zhvillohet liga me këto kushte.

Duke mos pasur garanci financiare, Flamurtari do të përqendrohet te të rinjtë e akademisë vlonjate. A mund të përballohet kështu gara?

Flamurtari nuk është hera e parë që ndodhet në këtë situatë. Me lojtarë të rinj i ka mundësitë të zhvillojë një kampionat me vlonjatë. Por, të presim derisa të mbarojnë zhvillimet.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"