Kalluci: Loja bind, Luftëtari po rikthehet, por trajneri mund të bënte më mirë me formacionin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 18:28

Kalluci: Loja bind, Luftëtari po rikthehet, por trajneri mund të bënte më mirë me formacionin

Vetëm 5 pikë në 7 javë të luajtura janë shumë pak për Luftëtarin. Skuadra në të vërtetë po prodhon lojë, e megjithatë rezultatet nuk po bindin.

Kalluci

I këtij mendimi është edhe Theodhori Kalluci, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” evidenton se çfarë nuk po shkon si duhet te bluzinjtë. Mjeshtri i sportit e quan defekt nisjen e vonuar të stërvitjes dhe lëvizjet e trajnerëve, megjithatë është besimplotë për ringritjen e ekipit.

“Me më shumë përqendrim dhe eksperiencë, Luftëtari mund dhe duhet të bënte më mirë. Një skuadre me lojtarë të rinj i falen gabimet, por kur gjithçka ndodh në limitet e kohës së rregullt, do të thotë se ka vend për t’u përmirësuar. S’mund të stacionohesh për shuma minuta në mbrojtje, aq më shumë kur je nën presionin e kundërshtarit. Këtu gjykoj se trajneri duhet të bënte më mirë në formatimin e formacionit, por kurrsesi se është fajtor për humbjen e fundit. Ai ka bërë mirë, rezultatet flasin mbi arsyet dhe logjikën sportive. Në futbollin e sotëm, ka pak rëndësi cilësia në fushë. Mjafton të marrësh një penallti inekzistente apo ta fitosh për të ‘derdhur gotën’. Luftëtari është e vërtetë se duhet të bëjë më shumë për të qenë dinjitoz”, tha fillimisht Kalluci.

Startimi i përgatitjeve me vonesë dhe për më shumë lëvizjet në pankinën bluzi, për ish-trajnerin, janë “thembra e Akilit” në ecurinë e deritanishme të gjirokastritëve. “Në kampionatin tonë aktualisht diferencat mes ekipeve janë të papërfillshme sa i takon në nivelit të lojës në gjithë komponentët e saj. Një skuadër e formuar në kohën e gabuar, me lojtarë të rinj dhe me trajner provizor, detyrimisht ka oshilacione ndeshje pas ndeshjeje. Luftëtari për askënd nuk ka qenë dhe s’do të jetë kurrë i vogël. Askujt s’i lind e drejta e nëpërkëmbjes së Luftëtarit, pavarësisht zhvillimeve të verës dhe javëve të luajtura. Luftëtarit i mungojnë rezultatet, por jo loja e prodhuar”, përfundoi Theodhori Kalluci.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"