Kalendari i fazës së katërt, pesë ndeshje “ferri” për Kukësin në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2021 | 21:16

Kalendari i fazës së katërt, pesë ndeshje “ferri” për Kukësin në start

Fitorja e fundit ndaj Kastriotit ka rikthyer qetësinë në kampin kuksian, të cilët me tri pikët ndaj krutanëve larguan përkohësisht “hijet” e mbijetesës.

Kukesi-Josa

Përveç pikëve që i kishin të domosdoshme, kjo fitore vlejti edhe në aspektin moral, sepse skuadra vinte pas 7 ndeshjesh ku kishin koleksionuar rezultate negative dhe ishin futur në një presion të jashtëzakonshëm. Tani ekipi do të vijojë më i qetë rrugën për të mbyllur sezonin, ku mbetet për t’u luajtur edhe faza e fundit e kampionatit.

KALENDARI – Pesë ndeshjet e para të fazës së katërt do të jenë një “ferr” i vërtetë për Kukësin, pasi do të luajnë ndaj skuadrave të cilat janë në kreun e renditjes. Një “malore” që është programuar të luhet në vetëm 22 ditë dhe mbetet për t’u parë se si do të paraqiten verilindorët. Fillimisht këtë fundjavë do të presin Tiranën kampione, e cila vjen pas disa rezultatesh pozitive dhe është kundërshtari më i afërt me ta në krahasim me katër ekipet e tjera.

Pas bardhebluve, do të sfidojnë të kuqtë e Partizanit, të cilët gjithashtu vijnë pas një forme të mirë sportive dhe jo më kot janë në garë për ta fituar titullin kampion. Kalendari i vështirë vijon më pas me Teutën, skuadrën që aktualisht kryeson Superligën dhe bëhet fjalë për një ekip që është e vështirë për ta mundur. Pas durrsakëve, kuksianët shkojnë në një transfertë ku shumë pak skuadra ia dalin të marrin rezultat pozitiv, në Laç.

Për ta mbyllur më pas me Vllazninë, një nga surprizat e këtij edicioni. Pra, kalendar më të vështirë nuk mund të kishte për ekipin e Josës, i cili vjen në këtë fazë të katërt mes shumë problemesh me rezultatet dhe në vështirësi të mëdha edhe në aspektin psikologjik.

VERDIKTET – Mund të thuhet se në këto pesë javë do të vendosen edhe verdiktet e sezonit për skuadrën e Kukësit. Nëse ia del të grumbullojë shumë pikë dhe të mundë rivalët direkt, atëherë i hapet një dritë jeshile edhe për të pretenduar pse jo një vend në Europë në fund, për të shpëtuar në njëfarë mënyrë edhe sezonin e dobët që kanë zhvilluar.

Në të kundërt, duhet të bëjë llogaritë mirë edhe nga poshtë, sepse kundërshtarët mund të përfitojnë dhe të vënë në rrezik edhe mbijetesën e kuksianëve. Edhe pse fitoi ndaj Kastriotit në javën e fundit, sërish Kukësi është më pranë zonës së rënies sesa Europës. Pra, 15 pikët që janë në lojë ndaj kryesuesve vendosin jo pak për fatet e Kukësit këtë sezon, ndaj edhe shihen si shumë të rëndësishme. Gjithsesi, kur skuadra është në formë ka treguar se mund të fitojë ndaj kujtdo.

NDESHJET E KUKËSIT

17.04.2021 KUKËSI–TIRANA

24.04.2021 PARTIZANI–KUKËSI

28.04.2021 KUKËSI–TEUTA

02.05.2021 LAÇI-KUKËSI

08.05.2021 KUKËSI–VLLAZNIA

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"