Ka idhull Lionel Mesin, një 18-vjeçar nigerian po “çmend” Pogradecin në Kategorinë e Dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2024 | 21:04

Ka idhull Lionel Mesin, një 18-vjeçar nigerian po “çmend” Pogradecin në Kategorinë e Dytë

 

Nigeriani 18-vjeçar, Sadik Kazim, luan sezonin e parë me Pogradecin dhe për herë të parë jashtë vendlindjes. Kazim u afrua në merkaton e verës te skuadra liqenore dhe fillimisht u angazhua tek U-19, për shkak se në skuadrën e parë kishte konkurrencë.

sadik kazim pogradeci

Golin e parë Kazim e gjeti kundër Delvinës. Më pas, në çdo ndeshje ai e tregoi veten dhe shkëndijën më të madhe e dha kundër Luftëtarit dhe Shkumbinit duke u kthyer në një beniamin për tifozërinë pogradecare. Goli që shënoi në Sarandë ishte fenomenal, pasi e mori topin nga mbrojtja duke dribluar tre lojtarë dhe në fund mposhti portierin. 18-vjeçari në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” tregon aventurën te Pogradeci, synimet, si dhe lojtarin që e frymëzon.

Kazim po kaloni një kampionat mbresëlënës me Pogradecin, si ndiheni?

Jam i lumtur që jam pjesë e Pogradecit. Ish-trajneri im në Nigeri më ka rrënjosur rëndësinë e besimit te vetja. Ai më thoshte se me besim të palëkundur në aftësitë e mia mund të shkëlqej kudo. Ky është një parim që e mbaj me vete brenda dhe jashtë fushës.

Hera e parë që luani në Europë, e prisnit një debutim kaq të mirë?

Kam besuar gjithmonë në potencialin tim dhe jam i përkushtuar për të arritur qëllimin tim, për të luajtur në Champions një ditë. Receta e vetme e suksesit është vetëbesimi.

Jeni kthyer në një beniamin i tifozërisë, si ndiheni për këtë? 

Futbolli është një sport ku paraqitja flet shumë. Kur luan mirë, t’i fiton respektin e tifozëve, shokëve dhe trajnerit. Energjia pozitive nga tifozët e Pogradecit më motivon të kaloj kufijtë e mi.

Cili futbollisti i klasit botëror ju frymëzon?

Lionel Mesi është një frymëzim i vërtetë. Etika e tij e punës dhe vendosmëria e palëkundur janë cilësi që unë i admiroj shumë.

Familja, a e ndjek suksesin tuaj si futbollist?

Edhe pse mbështetja e familjes më mungon, sepse ata nuk janë në Pogradec, por Nigeri, edhe kjo largësi është një arsye që më motivon më shumë që të kem sukses. Jam i vendosur t’i bëj ata krenarë me arritjet e mia në fushë. Gjithsesi, familja ime më mbështet nga shtëpia me komunikimin e përditshëm.

Kanë mbetur edhe 5 ndeshje në kampionat, besoni se Pogradeci do ta mbyllë në vendin e parë?

Në skuadër kemi shpirt gare dhe harmonia në grup është e lartë. Besoj se duke punuar fort, kemi shanse të mëdha për kampion.

REDI DANDALLAKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"