Ka fituar vetëm 35% të ndeshjeve si trajner i parë, çfarë duhet të dini për “timonierin” e ri të Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 2, 2023 | 23:48

Ka fituar vetëm 35% të ndeshjeve si trajner i parë, çfarë duhet të dini për “timonierin” e ri të Kombëtares

FSHF i besoi ditën e sotme “timonin” e Kombëtares shqiptare, trajnerit Silvinjo, i cili zëvendësoi italianin Edi Reja.

silvinjo shqiperia

I lindur në Brazil, 48-vjeçari ka nisur karrierën e tij si futbollist me Korinthiasin në 1994 dhe pas pesë vitesh u transferua tek Arsenali, ku qëndroi deri në 2001-shin. Më pas luajti te Selta Vigo për tri sezone dhe pastaj erdhi kalimi te Barcelona, ku veshi fanellën katalanase nga vitit 2004 deri në 2009.

Karrierën si futbollist e mbylli me Man.Sitin për një sezon. Roli i tij ka qenë mbrojtës i majtë. Ndërkohë, si trajner më së shumti ka qenë ndihmës. Kruziero, Sport Recife, Nautiko, Korinthias dhe Inter. Këto janë klubet ku ai ka punuar si ndihmëstrajner, ndërkohë që nga 2016-ta deri në 2019-ën ka qenë asistent i Tites në Kombëtaren e Brazilit.

Ndërkohë, si trajner i parë, ai ka drejtuar disa muaj Lionin dhe një sezon Korinthiasin, në 2021-2022.

Te Lioni, Silvinjo qëndroi 11 ndeshje, fitoi vetëm 3, barazoi 4 dhe humbi po 4. Te klubi francez, përqindja e fitoreve ishte 27.27 %.

Më pas Silvinjo pushoi për një vit e gjysmë, dhe në maj të vitit 2021 kur mori drejtimin e klubit të njohur brazilian Korinthias. 48-vjeçari te ky klub qëndroi deri në shkurt të vitit 2022, ndërsa në 43 ndeshje fitoi 16, barazoi 14 dhe humbi 13. Përqindja e fitoreve ishte 37.21 %.

Në total në dy klubet, braziliani Silvinjo numëron 54 ndeshje, duke i fituar vetëm 19 prej tyre, barazuar 18 e humbur 17. Përqindja e fitoreve ishte 35.19 %.

ILDI MEROLLI – PANORAMASPORT.AL

Dy nënkampionë bote, ja kush do të jenë asistentët e Silvinjos te Kombëtarja shqiptare

Kontratë 18-mujore, FSHF zyrtarizon trajnerin e ri të Kombëtares

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"