Jo vetëm Simoni, edhe dy talente drejt Gjermanisë/ Klubi gjerman “fiksohet” me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2022 | 21:13

Jo vetëm Simoni, edhe dy talente drejt Gjermanisë/ Klubi gjerman “fiksohet” me…

Është një moment i mirë për Dinamon. Në aspektin sportiv dhe atë ekonomik. Kryeqytetasit morën “komandën” e Kategorisë së Parë pas fitores me Lushnjën, duke u shkëputur nga Flamurtari rival. Janë tri fitore radhazi për blutë, të cilët po ecin të sigurt drejt kthimit në elitë. Punët po shkojnë shumë mirë edhe sa i takon merkatos në dalje për klubin, që sapo ka shitur portierin Simon Simoni tek Eintrahti i Frankfurtit për 600 mijë euro, pa llogaritur bonuset.

DINAMO

Një transferim i bujshëm ky, por te 18 herë kampionët e vendit duket se kanë rezervuar të tjera surpriza në këtë drejtim. “Panorama Sport” mëson se rrugën e Simon Simonit pritet ta ndjekin edhe dy lojtarë të rinj të Dinamos.

Ata janë mesfushorët 16- vjeçarë Dejvi Duro dhe Jordi Jaku, që të dy të federuar me skuadrën e parë, por që më së shumti kanë luajtur me ekipet zinxhir të klubit, duke qenë se mosha ua lejon. Ata janë pjesë e Kombëtares U-17 të Shqipërisë, madje kanë spikatur me fanellën e saj në disa ndeshje të fundit.

Për Duron dhe Jakun ka interes nga klube të huaja, por më shumë nga Gjermania dhe konkretisht po nga Eintrahti i Frankfurtit.

Nga burime të besueshme të gazetës pranë kryeqytetasve mësohet se ka bisedime të avancuara mes palëve dhe gjasat janë të mëdha që marrëveshja të finalizohet me sukses. Klubi gjerman duket se pëlqen të investojë te talentet e Dinamos. Për momentin nuk ka ende shifra, por është e qartë se nuk jemi në nivelet e Simonit, që luajti titullar në Superiore dhe tani në Kategorinë e Parë.

Jaku ka luajtur si zëvendësues në tri ndeshje të Dinamos, duke numëruar në total 29 minuta, ndërsa Duro nuk ka luajtur ende në kampionat. Ai është grumbulluar vetëm në një ndeshje Kupe me Butrintin. Jaku, i lindur në Rrëshen, luan në pozicionin e mesfushorit të qendrës.

Më parë ai ka bërë edhe një provë tek Ajaksi, ku arriti rezultate të mira, por pengesë u bë dokumentacioni. Duro ka lindur në Durrës dhe luan si mesfushor sulmues. Nëse të dy këta lojtarë të rinj firmosin në Gjermani, do të ishte vërtet një arritje e madhe për arkën e Dinamon.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"