Ish-trajneri Xhavit Sefa: Bylisi tregoi sa vlen Lushnja, ekipi duhet të reagojnë ndaj Kastriotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2024 | 17:54

Ish-trajneri Xhavit Sefa: Bylisi tregoi sa vlen Lushnja, ekipi duhet të reagojnë ndaj Kastriotit

Lushnja është në luftë me kohën, për të kapur zonën “play-off”, pasi i mungojnë katër pikë. Verdhejeshilët kanë gjithsej 22 pikë në 19 ndeshje të luajtura dhe janë pozicionuar në vendin e shtatë. Kanë grumbulluar vetëm 4 pikë për vitin 2024, pa arritur të ngushtojë diferencat më vendin e gjashtë.

Xhavit Sefa, ish-trajneri i Lushnjës 10

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” një nga ikonat e futbollit verdhejeshil, ish-trajneri Xhavit Sefa thotë: “Gara është e hapur dhe Lushnjës nuk i mungojnë mundësitë. Është e vetmja skuadër në tabelë që është pranë vendit të gjashtë. Pikët janë për t’u arritur. Dëshira është tjetër dhe mundësia tjetër gjë. Lushnja është një ekip që luan me dëshirë, por këto nuk janë mundësitë e këtij ekipi. I referohem ndeshjes së fundit me Bylisin. Nuk mund ta përballosh kryesuesin e Kategorisë së Parë, sepse ka lojtarë cilësorë, qoftë si individ apo dhe kolektiv.

Kanë kaluar tri javë dhe nuk ka ndryshuar asgjë në mendimin tim. Bylisi është skuadra më e mirë e Kategorisë së Parë. Mendoj që Lushnja dha më të mirën e vet. Duket pak më ndryshe nga blerjet e janarit. E shoh shumë të rëndësishme këtë periudhë të kampionatit, sepse janë ndeshjet e fundit të fazës së dytë. Ka shumë rëndësi pozicionimi në tabelë, sepse kalendari i fazës së tretë është i përcaktuar.

Një pozicionim më i mirë, një kalendar më i mirë. Duke i marrë gjërat me radhë, ndeshja me Kastriotin është shumë e rëndësishme për Lushnjën. Besoj se ekipi do të reagojë pas një humbje në shtëpi. Ekipi ka bërë paraqitje të mira në transfero dhe ka ditur të marrë pikë, si dhe të fitojë. Ndeshje e vështirë, por besoj se Lushnja do ta kalojë me sukses”.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"