Ish-trajneri i Kombëtares: Basketbolli i sotëm në krizë, Edi Rama nuk shkëlqente

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2017 | 19:53

Ish-trajneri i Kombëtares: Basketbolli i sotëm në krizë, Edi Rama nuk shkëlqente

Lojtar i talentuar i basketbollit shqiptar te Studenti në vitet 1958-1965, më pas trajneri i këtij ekipi si dhe ekipit tonë kombëtar, trajneri i të madhit Agim Fagut dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. 78-vjeçari vlonjat, Xhorxhi Baho, rrëfen historinë lidhur me këto momente të paharruara gjatë karrierës së tij.

xhorxhi braho agim fagu bujar shehu

Keni ikur prej shumë vitesh, si e gjeni Shqipërinë tani?

Shoh ndryshime mjaft të mëdha, çdo gjë është bërë moderne, por shoh edhe mjaft vështirësi dhe punë për të bërë, që për mendimin tim, ende nuk kanë gjetur zgjidhje, sidomos në ndërtimin e një shteti të ri demokratik. Mund të them se jemi shumë vite larg SHBA-së ku unë jetoj. Jeni ende të vegjël, për gjëra të mëdha.

Gjithsesi, në parim po shoh që po punohet, por ka ende shumë punë për të bërë. Duke e lidhur me fushën që unë përfaqësoj, basketbolli ka ecur shumë pak. Jo vetëm që nuk po shoh ndryshime, por më duket se ka rënë shumë niveli i tij.

Nga ju lindi pasioni për basketbollin?

Ishte një zgjedhje rastësore ose diçka e detyrueshme, pa dëshirë. Fillimisht, e kam nisur karrierën si atlet. Por kur nisa studimet në ish-Teknikumin e Fizkulturës, më 1958, ku pedagog kishim Minella Kapo, ai më dha disa opsione që unë duhej të ndiqja. Përveç atletikës, edhe lojëra të tjera, që ishin të detyrueshme si volejbolli ose basketbolli.

Unë, edhe pse isha i shkurtër, zgjodha basketbollin. Por në sajë të punës dhe vullnetit, por edhe në sajë të këmbënguljes së vetë trajnerit Minella Kapo, arrita të bëhesha një basketbollist mjaft i mirë, por edhe një student i shkëlqyer në mësime. Po atë vit, u krijua dhe skuadra e basketbollit të universitetit me emrin “Studenti”, ku kishte emra mjaft të njohur si, Genci Sina, Thoma Muzaka, etj.

Që atë vit, ne morëm pjesë në kampionatin kombëtar të kategorisë së dytë dhe në finale u ndeshëm me ekipin Gjirokastra. Arritëm ta fitonim atë ndeshje dhe u ngjitëm në kategorinë e parë, ku bënin pjesë skuadrat më të mira të asaj kohe, Partizani dhe 17 Nëntori.

Cilat kujtoni si momentet më të mira të karrierës suaj?

Momentet më të bukura janë ato të Olimpiadës Botërore në vitin 1970, në Torino, kur unë isha trajner i ekipit tonë kombëtar, por edhe i Studentit dhe ekipi u përball me skuadrat më të forta të botës dhe pati rezultatet të kënaqshme.

Në përbërje të ekipit tonë ishin, Agim Fagu (student), Nikolin Pali, Kujtim Kasmi, Bujar Shehu, nga ekipi kombëtar, ndërsa tre lojtarët më të mirë që kishim si studentë, Zhani Zengu, Vladimir Agaraj dhe një tjetër student, që nuk po më kujtohet emri, nuk u pranuan për arsye biografie. Ekipi ynë, edhe pse u mund nga kampionët e botës, arriti të fitonte me ekipet e tjera, duke u renditur i treti. Ndoshta ishte dhe një frymëzim nga rezultati që arriti peshëngritësi ynë një muaj më parë, Ymer Pampuri.

Po si trajner, çfarë ju bën që të krenoheni më shumë?

Edhe pse kishim vështirësi shumë të mëdha, ajo që më krenon më shumë është përgatitja e disa lojtarëve, të cilët sot janë bërë ikona në basketbollin shqiptar, si Agim Fagu, etj., por sigurisht, krenohemi edhe për rezultatet e arritura.

Si ju duket basketbolli shqiptar sot?

Shoh, që në basketboll, jo vetëm që nuk kemi shkuar përpara, por jemi kthyer shumë vite prapa, madje as në kohën e fillimit të basketbollit tonë nuk ka pasur rezultate kaq të dobëta. Edhe pse nuk kam ndjekur qoftë një ndeshje në kampionatin e basketbollit, por kam parë në internet një rezultat ku skuadra jonë, në një ndeshje ndërkombëtare, është mundur thellë.

Nuk ka bërë ndodhur ndonjëherë që ekipi ynë kombëtar të mundet me një diferencë 80 pikë, as nuk e imagjinoj kurrë një rezultat të tillë. Në kohën tonë nuk ka ndodhur me lojtarë profesionistë, me trajnerë që janë trajnuar në Europë, të munden në këtë mënyrë. Kështu që, mund të them se basketbolli ndodhet në krizë, është katastrofike. Basketbolli ynë, në vitet ’70, ka qenë në një nivel me pak ndryshime nga ekipet më të mira të botës.

Më 24 gusht 1970, ekipi ynë është mundur nga kampionët e botës, ishJugosllavia e vitit 1965, ku trajner kishte Zheroviçin e ku luanin basketbollistë me emër si Cernoviç, Simonoviç, Kapuçiç apo Rajkoviç etj,, e skuadra jonë është mundur me vetëm 2 pikë diferencë. Aty kemi rivalizuar gjatë gjithë takimit, pas një pjese të parë 33-33, në fraksionin e dytë luajtëm pa Fagun dhe Kasmin, të cilët u penalizuan. S`mund të krahasohet basketbolli i atyre viteve me këtë që po shohim sot.

Për çfarë ka më shumë nevojë?

Basketbolli, në radhë të parë, ka më shumë nevojë për njerëz që e duan atë, që përkushtohen ndaj tij dhe për pedagogë e profesorë të kësaj fushe. Duhet ngulitur te të rinjtë basketbollistë, dashuria për këtë sport, duke e shtuar moralin e kësaj loje.

Ju keni qenë trajneri i Fagut të madh, po Edi Ramën e mbani mend si basketbollist. I çfarë niveli ka qenë ai?

Agim Fagu është një lojtar i madh, i disiplinuar, e kam pasur nga studentët më të mirë, së bashku me Nikolin Palin, Spiro Papavangjelin.

Të them të drejtën, Edi Rama i përket një brezi tjetër dhe vitin e parë kur punoja tek Instituti i Arteve, e njoha për herë të parë. Ishte një basketbollist jo në nivelin e duhur, por që përparoi shumë duke u bërë edhe lojtar i Dinamos dhe më pas u grumbullua edhe në ekipin kombëtar, kjo falë gjatësisë më shumë se sa sportivitetit. Ishte aktiv në lojë, ka qenë njeri serioz dhe i përkushtuar.

Po si sportist në tërësi, çfarë vlerësimi keni për të?

Ai në basketboll ishte për shkak të gjatësisë, por edhe të pasionit që tregonte. Nuk ka qenë në lartësinë e basketbollistit të shkëlqyer. Ndërsa në fusha të tjera sporti si, futbolli apo ndonjë sport tjetër, nuk kishte prirje.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"