Ilir Daja paralajmëron Dinamon e Zagrebit: Ballkani nuk ka çfarë të humbasë, luajmë gjithçka për gjithçka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2023 | 18:44

Ilir Daja paralajmëron Dinamon e Zagrebit: Ballkani nuk ka çfarë të humbasë, luajmë gjithçka për gjithçka

Ballkani i drejtuar nga trajneri Ilir Daja nesër mbyll fazën e grupeve në Ligën e Konferencës, ku kampionët e Kosovës janë mysafirë të Dinamo Zagreb. Matematika e mban ende në lojë Ballkanin për një kualifikim të mundshëm, ndaj atyre u nevojitet që të përsërisin ndeshjen e parë, ku fituan në “Fadil Vokrri” në shifrat 2-0.

ILIR DAJA

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, në daljen para mediave ka pohuar se skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë në Zagreb, por që nuk çfarë të humbasin si ekip. Takimi i fundit i Grupit C në Ligën e Konferencës mes Dinamos së Zagrebit dhe Ballkanit do të luhet nesër në orën 21:00.

“Kemi një ndeshje të vështirë, sepse kemi përballë një kundërshtar që ka shumë përvojë dhe është tepër i fortë, pavarësisht se ndeshjen e parë e kemi fituar në Prishtinë. Kështu që në Zagreb na pret një ndeshje shumë e fortë. Pavarësisht kësaj, ne jemi përgatitur dhe nuk kemi çfarë të humbim, pra do të luajmë ‘gjithçka për gjithçka’. Sigurisht që kemi bërë një rrugëtim për të dytin vit në këtë garë që është historike për Kosovën dhe kur luajmë në këto nivele gjithmonë kemi përballë ekipe shumë më të mira se ne në çdo aspekt. Edhe kur luan për barazim është shumë vështirë, lëre më për fitore. Por, ne do të përdorim të gjitha forcat tona për të bërë një paraqitje të mirë në Zagreb dhe për të fituar”, paralajmëroi Daja në konferencën për shtyp.

Daja ka pranuar se Dinamo mbetet favorit në këtë përballje, por ka insistuar se Ballkani nuk do të futet i dorëzuar në fushë.

“Sigurisht që këtu do të jetë më e vështirë për ne ashtu siç ishte për Dinamon në Prishtinë. Kur luan në një stadium pritës, favorit gjithmonë është pritësi. Favorite është Dinamo për vetë emrin që ka si një ekip shumë i madh në rajon. Na pret një transfertë e vështirë, por që nuk do të futemi të dorëzuar, kjo është më se e sigurt. Ne në kampionat kemi 12 fitore dhe 2 barazime dhe ndeshja e fundit ka qenë një situatë e izoluar. Besoj se kjo ndeshje me Dinamon nuk ka lidhje me atë ndeshje. Ndoshta edhe vetë ndeshja me Dinamon ka bërë që futbollistët të jenë më të përqendruar te ndeshja në Zagreb sesa ajo në kampionat”, shtoi Daja.

 

Ndërsa mbrojtësi, Gentrit Halili, i pranishëm në konferencë me trajnerin Daja, u shpreh: “E dimë të gjithë historinë e Dinamos dhe është kënaqësi i madhe të luajmë në këtë stadium. Por, ne nuk kemi ardhur këto për shëtitje por të marrim tri pikët dhe të kemi mundësinë të kualifikohemi në fazën tjetër”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"