Idrizi vijon polemikat me Sokol Kushtën: Me futboll të pastër, Flamurtari 99% në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2024 | 9:25

Idrizi vijon polemikat me Sokol Kushtën: Me futboll të pastër, Flamurtari 99% në Superiore

Në Vlorë qëndron i ndezur debati Idrizi-Kushta, ku polemikat vijojnë në distancë. Ndonëse Sokol Kushta nuk pranoi të komentojë akuzat e presidentit të klubit, disa fjali i tha. Sinan Idrizi i kujton legjendës vlonjate se kur ishte drejtor në klub, Flamurtari ra nga kategoria.

idrizi kushta

Për “Panorama Sport”, Idrizi thotë se për interesat me FSHF-në, Kushta ka vënë perde te sytë. “Sokol Kushta, si anëtar i Këshillit Bashkiak, ka tentuar disa herë për t’i dhënë zgjidhje çështjes. Ka kërkuar fonde nga bashkia, i ka shkruar Kryetarit të Bashkisë dhe i ka thënë: Më jep fonde se e bëj unë. Nga informacioni që kam, Koli ka qenë drejtues i Flamurtarit. Gjatë kohës së tij, në mos gaboj, ekipi ka rënë një kategori më poshtë. Mund të jetë menaxher shumë i mirë. Në syrin tim gjëja që nuk më pëlqen te Koli është perdja që ai vë para syve për të parë Flamurtarin e sotëm. Të gjithë reaguan pas Elbasanit, Koli nuk reagoi. Gojët e këqija thonë se nuk do të prish marrëdhëniet me FSHF-në, me mbretin, pasi kanë një kontratë bashkë për të ndërtuar ca fusha, për të ngritur një akademi. Unë nuk dua të besoj se idhulli im Sokol Kushta është bërë një meskin që shikon interesin e tij për dy fusha sporti”, shprehet Idrizi.

THUMBIMI NË FACEBOOOK – ”Pa komente…Ne ëndërrojmë…101? 102? 103?”. Kjo ishte ajo çfarë Sokol Kushta publikoi në “Facebook”. Idrizi i jep këtë përgjigje: “Koli është politikan. Unë nuk kam aftësitë e tij si politikan. Nuk kam aftësitë e të shkruarit si Koli, nuk e kam kulturën e tij. Unë flas me faktet. Nëse dëshiron të vijë në krye të klubit të Flamurtarit, të vijë nesër që në mëngjes të marrë klubin në dorëzim. Nëse realisht i dhimbset Flamurtari, duhet që të reagojë në ditët kur Flamurtari jo masakrohet, por… Ju e patë vetë çfarë ndodhi vjet dhe këtë vit. Kur disa gjëra na i vjedhin në fushë këta që prishin garën, një pjesë e jona e qenësishme nuk reagon. Si u ndihet kur ne thirrëm në stadium gjithë aktorët e Vlorës? Erdhën të gjithë vlonjatët dhe kur Sokol Kushta mungonte. Mungonte sepse nuk donte…Nuk e thërras unë, e thërret Flamurtari. Nëse vjet me Dinamon nuk do të na bëhej ajo që na u bë, sot do të ishim në Superiore. Nuk ja vlen të reagosh në fund të qershorit. Superiorja, ëndërr? Jo…,ne jemi duke punuar. Nëse ato pikët e vjedhura me Elbasanin do t’i kishim sot, nëse do të kishim ato tri pikët e vjedhura me Burrelin, ku do të ishte Flamurtari sot? Keni dëgjuar ju që organizatorët e garës të dënojnë një arbitër për masakrat që ka bërë historikisht kundër Flamurtarit?”

THIRRJA – Idrizi i bën thirrje Sokol Kushtës të mos i shtrijë dorën FSHF-së: “Mos i kërko FSHF-së lëmoshë për të ndërtuar fushat. Sill projektin tënd dhe ne, i gjithë biznesi vlonjat, vihet në ndihmën tënde nëse nuk ke mundësi financiare ta përballosh vetë. Të lutem, i dashur Sokol, mos ia shtri dorën FSHF-së. Nuk besoj se ka tifoz të dytë sa unë për Kushtën. Goli më i bukur në historinë e futbollit shqiptar është goli i Kolit me kokë kundër Barcelonës, jo ai i Beogradit. Ronaldo i bën sot ato që ka bërë Koli para 30 viteve”.

SUPERIORJA – Sinan Idrizi është i bindur se Flamurtari do ta arrijë Superioren në fund të sezonit nëse luhet futboll i pastër. “Ju thoni që nëse nuk bëjmë pazar me Armandon nuk ngjitemi lart? Në Labëri ku unë jam nip thonë: ‘Më mirë djepi bosh se shejtani brenda’. Ne kemi mbi 99% shanse për t’u ngjitur në Superiore nëse luhet futboll i pastër. Ne kemi ekip që konkurron denjësisht me çdo kundërshtar. Unë s’dorëzohem dhe nuk lodhem asnjëherë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"