EKSKLUZIVE/ “Vllaznia gaboi me trajnerin Osmani”, Patushi: S’çuditem me këtë lëvizje, por kanë shanse për trofeun (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 21:55

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia gaboi me trajnerin Osmani”, Patushi: S’çuditem me këtë lëvizje, por kanë shanse për trofeun (E PLOTË)

Sajmir Patushi, mesfushori i njohur matjan, kampion me ekipin e Vllaznisë dhe Tiranën, ka bërë një analizë të situatës te skuadra shkodrane.

SAIMIR PATUSHI

Ndryshimin e trajnerit 4 javë para fundit të kampionatit ai e quan lëvizje surprizë të drejtuesve të klubit. Patushi shprehet në intervistën e mëposhtme për “Panorama Sport” se largimi i Osmanit ishte një gabim. Ish-mesfushori sheh më të favorizuar Partizanin për vendin e dytë, por ka besim se Vllaznia mund të shpallet kampione e Superiores.

Patushi, si do ta komentonit lëvizjen te Vllaznia për ndryshimin e trajnerit në këtë moment?

Mbase të gjithë u çuditen me këtë lëvizje, por unë nuk çuditem, sepse çdo vit kemi ikje-ardhje trajnerësh sipas shijes të çdo presidenti. Vllaznia është e dyta dhe mbase kanë çaluar shumë gjëra përbrenda që ne nuk i dimë. Ne na mbetet vetëm që të shikojmë si është kjo lëvizje katër javë para fundit dhe “Final 4”.

A duhej bërë kjo lëvizje, kur Vllaznia ishte e dyta?

Po ndonjëherë mbase dalin për mirë këto lëvizje, por në memorien time s’kemi pasur surpriza për tre apo katër javë. Megjithatë, mendoj se ishte gabim largimi trajnerit Qatip Osmani.

Çfarë mund të sjellë në kaq pak kohë ndryshimi i trajnerit?

Çfarë do të sjellë do ta shikojmë. Shijet janë individuale dhe këto mbeten për t’u parë se çfarë do të sjellë ky trajner te Vllaznia.

Fitorja ndaj Egnatias i jep të drejtën Vllaznisë për të qenë në “Final 4”?

Patjetër që Vllaznia është në katërshe dhe këtë nuk e kam venë në dyshim që kur ajo, nën drejtimin e teknikut Osmani, arriti që të marrë ato 12 rezultate pozitive të njëpasnjëshme.

Duke parë kalendarin e Vllaznisë dhe atë të Partizanit, kush ju duket më i favorizuar për vendin e dytë?

Çdo javë për të dyja këto skuadra është si një finale, por Partizani duket më i favorizuar.

Sa shanse i jepni Vllaznisë që të jetë kampione e Superiores pas një kohe kaq të gjatë?

Mbase teknikut të ri do t’i duhet të freskojë disi skuadrën, sepse është pak e lodhur. Megjithatë, shanset i ka të barabarta me çdo kundërshtar.

Përveç treshes Egnatia-Vllaznia-Partizani, cila skuadër mund të jetë e katërta në “Final 4”?

Do të kisha dëshirë që të ishte Tirana, sepse do ta zbukuronte edhe “Final 4” dhe do t’i jepte tjetër pamje atij stadiumi me tifozët e saj. Uroj që të jetë kështu.

Cila ju duket skuadra që mund të jetë më e favorizuar për titullin, apo gjithçka është e hapur?

Të gjitha mendoj se janë të barabarta. Një ndeshje mund ta humbasësh edhe më ekipin e fundit dhe jo me ato që janë të gjitha pretendente për titull. Këtë vit nuk kemi pasur ndonjë ekip superior që të thuhet se ky do të jetë padiskutim fitues. Bëhet fjalë për ndeshje teke.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"