“Humbja me Tiranën është histori e mbyllur”, Janku: Nuk mund ta refuzoja Dinamon, reagojmë në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 11:15

“Humbja me Tiranën është histori e mbyllur”, Janku: Nuk mund ta refuzoja Dinamon, reagojmë në Korçë

Emri i Stivian Jan kut është përmen dur thuajse në çdo kohë merkatoje te Dinamo, por u konkretizua në fillim të 2024-ës. Mbrojtësi është bashkuar me blutë dhe ka debutuar menjëherë në derbin me Tiranën, ku paraqitja e tij ishte e mirë, edhe pse mbrojtja u ndesh me jo pak vështirësi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, futbollisti 25-vjeçar thekson se e dëshironte shumë kalimin te Dinamo, pavarësisht se ishte pjesë e kryesuesve të kampionatit.

janku

Për humbjen në derbi Janku shprehet se të gjithë kanë përgjëgjësi, ndërsa për sfidën në Korçë thotë se Dinamo ka kualitetin për të reaguar dhe për të bërë kthesën.

Pse vendosët të largoheni nga Egnatia, ekipi që kryeson kampionatin, për të kaluar te Dinamo?

Kalimi te Dinamo u bë me dëshirën time të plotë. Ishte një zgjedhje që nuk e vendosa në diskutim në asnjë moment dhe jam i lumtur që bëj pjesë në këtë skuadër. Të gjithë e dimë se kush është Dinamo, është e vështirë të refuzohet, kur të vjen një ofertë nga ky ekip. I falënderoj të gjithë për besimin ndaj meje, që nga presidenti Bardhi, stafi teknik e me radhë. Kam ardhur në një klub me histori dhe traditë, si dhe me kushte shumë të mira në çdo aspekt.

Debutuat në derbin me Tiranën, një ndeshje ku ishin të gjitha mundësitë për fitore, por në fund morët atë goditje. Pse ndodhi, sipas jush?

Ndeshja me Tiranën është një histori e mbyllur, edhe se na ka mërzitur të gjithëve, sepse kishim mundesinë më të mirë për të dalë fitimtarë. Mendoj se jemi të gjithë përgjegjës për atë ndeshje dhe duhet të marrë gjithsecili rolin e tij. Por, nuk mund ta komentoj pse ndodhi apo si ndodhi, sepse kjo është diçka që i përket stafit për ta analizuar. E vetmja gjë që ne lojtarët duhet të bëjmë është që të përqendrohemi sa më shumë që nga ndeshja e radhës dhe të japim më të mirën tonë, për të arritur rezultatet pozitive.

Çfarë mendimi keni për skuadrën që ka Dinamo aktualisht dhe veçanërisht për mbrojtjen?

Dinamo ka kualitet, është një ekip që di të luajë futboll mirë. Në çdo ndeshje ne futemi gjithmonë për të dhënë maksimumin dhe për të fituar. Për sa i përket mbrojtjes dhe çdo reparti tjetër, kanë rëndësinë e vet në ekip. Brenda, ekipi ka konkurrencën e duhur që mendoj se të gjithëve ne na bën mirë dhe po ashtu i bën mirë edhe Dinamos.

Përpara është ndeshja me Skënderbeun, që duhet fituar patjetër pas humbjes në derbi. Si e mendoni këtë transfertë?

Eshtë një transfertë e vështirë, si çdo ndeshje në fakt. Por po përgatitemi për të luajtur sa më mirë në fushë. Të gjithë e kemi lënë pas humbjen me Tiranën dhe jemi të përqendruar vetëm te kjo ndeshje. Kam besim se do ta kalojmë me sukses, sepse, siç e thashë, Dinamo ka një skuadër cilësore. E vlerësojmë Skënderbeun si ekip, në këtë kampionat ka treguar vlerat e tij, por ne jemi të vendosur në objektivin tonë për të bërë kthesën menjëherë.

Një gjykim për kampionatin, çfarë mund të arrijë Dinamo në fund të tij?

Kampionati deri tani ka treguar që është mjaft i fortë. Për Dinamon do të thosha se dihen objektivat e klubit, duke u bazuar nga emri, investimet dhe çdo gjë tjetër. Na takon neve tani, të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, të vlerësojmë drejt çdo kundërshtar dhe më të rëndësishmen: të marrim pikët që na duhen.

FATJON RUPI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"