Humbën ndaj Apolonisë, kapiteni i Besës: Boll premtuam, le të flasim në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 16:42

Humbën ndaj Apolonisë, kapiteni i Besës: Boll premtuam, le të flasim në fushë

“Askush nuk është i kënaqur me pikët dhe vendin ku renditemi”, kështu e nis analizën e tij për “Panorama Sport” kapiteni i Besës. Ledjon Muçaj mendon se ashtu si suksesi edhe dështimi u përket të gjithëve.

besa

“Askush nga ne nuk e përjashton veten nga përgjegjësia që kemi për dy sfidat e fundit. Nëse dështuam të merrnim 6 pikë aq sa kishim programuar e dëshiruar, mendoj se secili duhet të shohë nga vetja. Për cilësinë që kemi në ekip, humbja me Apoloninë është e papranueshme e po ashtu edhe mënyra se si erdhi barazimi me Shkumbinin.

Madje, nuk janë të vetmet ndeshje ku kemi gabuar. Më herët kemi lëshuar lehtësisht fitoren me Korabin. Pra, janë mjaft pikë që i kemi lëshuar ne vetë dhe jo se na kanë dominuar kundërshtarët apo merituan pikët. Në të gjitha këto ndeshje kemi dominuar në lojë e raste dhe nuk kemi arritur të marrim pikët maksimale”, u shpreh mesfushori, që mendon se ka ardhur koha të flasin në fushë dhe jo me premtime boshe.

“Në situatën që ndodhemi, gjykoj se nuk ka më vend për premtime, por për reagim në fushë. E thashë dhe më lart se nëse kemi gabuar, kjo situatë duhet të marrë fund. Jemi të vetëdijshëm që gara deri tani na ka treguar se nuk ka kundërshtarë të lehtë apo të fortë, por kur ti i lejon me lojën tënde, të gjithë bëhen të fortë.

Dua të them se Maliqin e shohim, e vlerësojmë njësoj me ekipet e tjera. Vetëm kështu do të mund të bëjmë kthesën e pritur. Fundja, 3 pikë kanë të njëjtën vlerë si me Bylisin, Erzenin, Korabin ashtu dhe me Vorën, Maliqin e Turbinën. Ka ardhur momenti që Besa të vlerësojë maksimalisht pikët e të mos lëshojë më. Duke nisur që sot, ne kemi nisur javën anti-Maliqi dhe më shumë se kurrë jemi të vetëdijshëm se çfarë kërkohet e pritet nga ne.

Fjalët e tjera nuk vlejnë, vlejnë vetëm 3 pikët”, përfundoi kapiteni i verdhezinjve.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"